Foto: Ministria e Infrastrukturës

Ministria e Infrastrukturës: Rrugët të kalueshme, apel për kujdes në vozitje

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar qytetarët e Kosovës, se përkundër reshjeve të borës, rrugët janë të kalueshme për qarkullim të automjeteve.

“Sipas raporteve nga menaxherët e MI-së, rrugët që janë në menaxhim të institucionit, në vazhdimësi janë duke u pastruar nga bora dhe është duke u hedhur kripa, me qëllim të parandalimit të ngricave”, thuhet në komunikatë.

Sipas MI-së, edhe rrugët në viset malore si Bajgorë, Kullë, Bogë e Prevallë, janë të hapura për qarkullim të automjeteve.

“Megjithatë, MI bën thirrje për kujdes të shtuar nga të gjithë shoferët gjatë vozitjes, në përputhje me rregullat e komunikacionit dhe kushtet atmosferike, që të evitohen aksidentet e mundshme. Përkundër angazhimit maksimal të 14 kompanive në 7 regjione dhe atyre që përkujdesen për autostradat, reshjet e vazhdueshme dhe era, shkakton prezencë të borës në rrugë”, vijon komunikata.

Ministria tutje ka theksuar se është përgjegjëse për pastrimin e rrugëve rajonale, nacionale, magjistrale, autostrada dhe jo për rrugët lokale të komunave.

Në Kosovë gjatë këtyre dy ditëve do të mbajë mot me borë dhe i ftohtë.

Edhe Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të kenë kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugë, për shkak të borës dhe ngricave.