FOTO: ANP "Adem Jashari"

Ministria e Infrastrukturës me njoftim për shtetasit e Italisë, Gjermanisë, Francës dhe Zvicrës që janë në Kosovë

Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka dhënë një njoftim në lidhje me udhëtarët për në vende si Itali, Gjermani, Francë dhe Zvicër, prej të cilave para disa ditëve janë pezulluar udhëtimet për shkak se të coronavirusit.

Ministria ka njoftuar që nga vendet e lartpërmendura mund të vijnë aeroplanët vetëm me ekuipazh, pa udhëtarë, për të marrë shtetasit e tyre.

Kjo do të vlejë nga ora 18:00 më 13 mars deri në orën 24:00 të datës 16 mars.

“Me qëllim të lejimit të kthimit të udhëtarëve, shtetasve të shteteve për të cilat vlen pezullimi i përkohshëm i të gjitha linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor drejt këtyre shteteve, nga dt.13.03.2020 ora 18:00 lejohen fluturimet në ardhje nga këto shtete, pa udhëtarë vetëm me ekuipazh të fluturimit, deri me 16.03.2020, në ora 24:00”, thuhet në njoftim.

Sot janë zyrtarizuar dy rastet e para me coronavirus në Kosovë, një 22 vjeçare nga Klina dhe një 77 vjeçar nga Vitia, të dy të ardhur nga Italia. Ministri Vitia ka deklaruar se gjendja e pacientëve është stabile dhe nuk ka nevojë për panikë.