Ministria e Infrastrukturës largon reklamat nëpër autostradat e Kosovës

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se në autostradat e Kosovës ka filluar largimi i të gjitha reklamave.

Durmishi ka thënë se ‘tash e tutje reklamat do të vendosen vetëm në hapësirat ku i lejon ligji dhe duke respektuar kriteret e procedurat’.

“Sot filluam aksionin për heqjen e reklamave në gjithë brezin rrugor të autoudhëve për të vazhduar me heqjen e të gjitha reklamave në ura, mbikalime e nënkalime në të gjitha rrugët regjionale e nacionale” – ka shkruar Durmishi në Facebook.

Në vitin 2021, Emisioni “Kallxo Pernime” pati tranmetuar një hulumtim lidhur me vendosjen e reklamave në rrugët nacionale.

Në këtë emision ishin transmetuar pamjet e reklamave në autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht në dalje të saj, afër Podujevës.

Në pano ishin vendosur reklama fushate të Agim Veliut dhe Besian Mustafës, në të cilat tregoheshin numrat e tyre si kandidat për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Në ligjin Nr.05 L-088 për rregullat e trafikut rrugor thuhet se jashtë zonës urbane nuk mund të vihen mbishkrime ose reklama.

“Në rrugët publike dhe në brezin mbrojtës të rrugëve publike jashtë zonës urbane nuk mund të vihen mbishkrime ose reklama, në rrugët nacionale dhe rajonale në distancë më të vogël se pesë (5) metra, kurse në rrugët lokale në distancë më të vogël se tri (3) metra nga pika më e largët e profilit tërthor të rrugës”, thuhet në nenin 10, pika 4.