Autostrada "Ibrahim Rugova"

Ministria e Infrastrukturës hap tender mbi 16 milionë euro për mirëmbajtjen dimërore të dy autostradave

Ministria e Infrastrukturës ka hapur një tender, të ndarë në 4 Lote me vlerë të parashikuar prej 16 milionë e 400 mijë euro, për mirëmbajtjen dimërore të dy autostradave, “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi”.

Njoftimi për tenderin është publikuar dje më 17 shkurt. Gjatësia e rrugëve sipas njoftimit është 211,81 kilometra.

Afati për dorëzimin e ofertave është deri më 14 mars 2022.

Ky tender pritet të zgjasë për 3 vitet e ardhshme dhe e ndarë në 4 lote. Ky tender përfshinë mirëmbajtjen për 2022/2023, 2023/2024 dhe 2024/2025 të këtyre dy autostradave

Kujtojmë që në prill të vitit të kaluar, Ministria e Infrastrukturës kishte anuluar një tender për mirëmbajtjen dimërore dhe verore të rrugëve nacionale dhe rajonale në Kosovë, tender i shpallur në kohën kur ministër ishte Pal Lekaj.

Zëvendësministri, Hysen Durmishi në një konferencë për media, kishte thënë se arsyeja e anulimit të tenderit ishte sepse me të ishte parashikuar që të jetë kontratë kornizë tre vjeçare dhe nuk mund të ndryshohej, si dhe Ministria ishte e interesuar që të ndryshojë disa pozicione të paramasës dhe të kushteve teknike.

“Në vitet e fundit kemi një zhvillim të hovshëm të teknologjisë së ndërtimit të rrugëve prandaj ky zhvillim duhet të jetë prezent edhe në rrugët tona. Kjo është arsyeja e parë që ne do të intervenojmë në pozicionet e paramasës në mënyrë që edhe mirëmbajtja të jetë shumë më cilësore në vitet në vazhdim ashtu siç do të jetë shumë më cilësor secili investim në të ardhmen. Pra ne jemi të interesuar që rrugët tona të jenë më të sigurta duke përdorur teknologjinë më të avansuar për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tyre”, kishte deklaruar Durmishi.

Ai kishte thënë se do të vendosen kritere që të ketë konkurrence mes kompanive e të ndalohet përfundimisht vendosja e kritereve që t’iu përshtatet një kompanie të caktuar, për të cilën thotë së është praktikë e keqe nga ministrat e kaluar të këtij dikasteri.