Foto: Facebook

FOTO - Ministria e Infrastrukturës dënoi kompaninë transportuese nga Presheva

Një kompani transportuese nga Presheva “Ilirija – Transport Company” ka bërë të ditur se sot është dënuar nga Inspektorati i Ministrisë së Infrastrukturës së Kosovës për leje të transportit.

Por, sipas kompanisë, lejen e transportit për vendet e treta nuk mund ta sigurojnë për shkak të mungesës së marrëveshjes bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Siç po i shihni edhe në foto, janë dy Dënimet, që na u kanë shqiptuar sot më datë 17.01.2022, në pikën kufitare/terminalin DHEU I BARDHË, nga Inspektorati i Ministrisë së Infrastrukturës. Për LEJE TË TRANSPORTIT NGA VENDET E 3ta, e që këtë leje nuk mund të e sigurojmë, sepse nuk ka marrëveshje bilaterale për këto lloj leje transporti, në mes shteteve të R. Kosovës dhe të Serbisë”, thuhet në një postim në Facebook.

Kompania ka bërë të ditur se dënimet momentalisht janë duke u shqiptuar vetëm në pikat kufitare Dheu i Bardhë dhe Han i Elezit, derisa shtojnë se dënimet janë të papërballueshme andaj edhe duhet ta ndalin transportin.

“Për ne është e papërballueshme kjo shumë e dënimeve të paguhet, dhe ngarkimet që i kemi të realizuara dhe të planifikuara për klientët nuk kemi mundësi të i realizojmë deri në momentin që të i sigurojmë këto leje, apo të na hiqen dënimet në fjalë”, thuhet në postim.

“Këto dënime momentalisht janë duke u shqiptuar vetëm në pikat kufitare DHEU I BARDHË dhe në ELEZ HAN. Aty ky frekuentojnë më së shumti kompanitë transportuese shqiptare. Ka edhe tjera kompani që ju kanë shqiptuar këto dënime”, thotë kompania më tej.

Sipas kompanisë, 99% e punës transportuese është me Kosovën, pasi sipas tyre, e dinë pozitën e tyre në Serbi.

.