Ministria e Tregtise dhe Industrise. Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla

Ministria e Industrisë pretendon se nuk ka largim të investitorëve nga Kosova

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes një komunikate për media ka pretenduar se nuk ka asnjë investitor të jashtëm që është larguar nga Kosova.

Disa media sot kanë publikuar një lajm me pretendimin se një investitor i huaj është larguar nga Kosova dhe ka shkuar në Maqedoni të Veriut për të investuar.

“Kompania “Akuo Energy”, përmes filialit “Cicavica Wind Farm” , synon të realizojë projektin e prodhimit të energjisë me erë “Çiçaciva”. Kompania franceze, e cila operon në disa vende të rajonit, i ka konfirmuar edhe sot Ministrisë se NUK po tërhiqet nga projekti investues në Kosovë, por ka edhe projekte tjera në rajon”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Sipas kësaj komunikate, projekti është paraqitur fillimishht në fund të vitit 2018, por që kompania e ka dorëzuar aplikimin e kompletuar për investim strategjik në qershor 2020.

“Agjencia për Investimet dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve e Kosovës, ka rekomanduar që projekti të shpallet investim strategjik, dhe Qeveria ka miratuar rekomandimin e KIESA-s në dhjetor 2020, por nuk ka arritur të sigurojë pëlqimin e Kuvendit para zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2021”, thuhet në reagim.

Sipas Ministrisë, kompanisë ‘Akuo Energy’ i është bërë e ditur se lënda do të riprocedohet shpejtë në Komisionin për Investimet Strategjike, e më pas lënda do të trajtohet në Qeveri dhe në Kuvend.

“Riprocedimi do t’i hapë rrugë realizimit të investimit në përputhje me legjislacionin në fuqi, sidomos normat për ndihmën shtetërore – pra, pa tarifa nxitëse që mund t’u faturohet qytetarëve dhe të cilat ndalohen me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe të Kosovës”, thuhet në fund të komunikatës.