Derivatet e naftës, Ilustrim: Pixabay

Ministria e Industrisë njofton se do të nxjerrë vendim të ri nëse rriten çmimet e derivateve

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se vendimi për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe masat e tjera mbrojtëse, ka skaduar të martën.

Me këtë rast Ministria ka bërë të ditur se nëse ka rritje të paarsyeshme të çmimeve të derivateve të naftës, atëherë kjo Ministri do të nxjerr një vendim të ri.

“Në rast të rritjes së paarsyeshme të çmimeve të derivateve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të nxjerrë vendim për rregullimin e çmimeve dhe masat e tjera mbrojtëse, sipas Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe masat e tjera mbrojtëse dhe me evidencë nga raportet ditore nga Inspektorati i Tregut, Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, si dhe në konsultim me Autoritetin e Konkurrencës, Shoqatën e Naftëtarëve dhe bizneset individuale të naftës dhe konsumatorët” – thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ndër të tjera Ministria ka bërë të ditur se në bazë të evidencave dhe analizave të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin e Tregut dhe Departamentin e Naftës (MINT), çmimi i derivateve sot në treg rrjedh si rezultat i rritjes së çmimit të derivateve të importuara.