Inspektimi i taksimetrave. Foto: Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, dhe Tregtisë (MINT)
Ministria e Industrisë inspekton taksimetrat, gjen disa shkelje
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) ka inspektuar taksimetrat e vendosur në auto-taksi në disa qytete të Kosovës.
Gjatë inspektimit, Ministria thotë se ka hasur në disa taksimetra që nuk kanë poseduar certifikatë të verifikimit dhe ndaj tyre janë marrë masa administrative sipas Ligjit për Metrologji.
“Sipas legjislacionit në fuqi taksimetrat, që janë në përdorim, duhet të janë në përputhje të plotë me Rregulloren nr.06/2016 dhe sipas Rregullores nr. 01/2022 për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores nr. 02/2021 për mjetet matëse ligjërisht të kontrolluara, saktësia e tyre duhet te verifikohet. Taksimetri llogaritë distancën në bazë të sinjalit të dhënë nga gjeneruesi i sinjalit për largësi. Përveç kësaj, ai llogarit dhe tregon tarifën që duhet paguar për udhëtimin në bazë të distancës së llogaritur/matur të udhëtimit” – thuhet në komunikatën e MINT-it.
Qëllimi i këtij aksioni, siç thotë Ministria, është mbrojtja e konsumatorit, si dhe mbikëqyrja e subjekteve të emëruara (TVK) nga MINT/AMK, për taksimetra të cilëve u janë caktuar detyrat për zbatimin e rregulloreve të metrologjisë ligjore.
“Pas vizitës inspektuese në terren, MINT/AMK njofton se nëse brenda afatit të caktuar nuk eliminohen parregullsitë e gjetura, do të ndërmerren masa konform ligjit në fuqi” – ka shtuar Ministria.
MINT thotë se këto inspektime do të vazhdojnë edhe më tej në gjithë vendin.