Ministria e Financave

Ministria e Financave ua bllokoi sistemin e pagesave dy komunave, shpërthejnë pakënaqësitë mes dy pushteteve

Pakënaqësi janë shkaktuar mes Komunës së Vitisë, asaj të Deçanit dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), pasi që kjo e fundit ua ka ndaluar qasjen në sistem të pagesave zyrtarëve financiarë këtyre dy komunave.

Sistemi është ende i bllokuar, teksa institucionet po ia gjuajnë fajin njëri-tjetres për arsye të ndryshme.

Arsyetimi i Ministrisë është që edhe pse këto dy komuna janë njoftuar disa herë radhazi nga Thesari për ekzekutimin e vendimeve të gjykatave, të njëjtat nuk janë përgjigjur. Ndryshe nga ky arsyetim, komunat thonë se bllokimi ka ndodhur për shkak të disa kontratave kolektive që sipas tyre janë kompetencë e nivelit qendror që t’i nënshkruaj, e jo e komunave.

Ministria e Financave në disa përgjigje për KALLXO.com, thotë se organizatat buxhetore nuk e kanë përfillur kërkesën e Thesarit dhe kanë vazhduar me shpenzim ditor të buxhetit duke i anashkaluar vendimet e gjykatave.

Për këtë arsye, ministria përkatëse thotë se duke u bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, Thesari ka ndërmarrë veprimin e de-aktivizimit apo ndaljes së qasjes për zyrtarët shpenzues si masë kontrolli e cila zbatohet nga Thesari për menaxhimin e parasë publike.

“Kjo është bërë në mënyrë që të paguhen Vendimet e formës së prerë nga Gjykatat, e pastaj të mund të realizohen pagesat tjera nga ana e organizatave buxhetore. Vetëm në këtë mënyrë, mund të evitohen urdhërat plotësues të përmbaruesve për kamatë vonesë, të cilat e dëmtojnë buxhetin e shtetit”- shkruan në pergjigjen e Ministrisë të Financave.

Këtë vendim, ministria në fjalë thotë se e ka marr duke u bazuar në Ligjin 03/L-048, për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, përkatësht në nenin 40, i cili e përcakton që: “Thesari është i obliguar t’i ekzekutojë Vendimet e plotëfuqishme të Gjykatave dhe Urdhrave të formës së prerë të Përmbaruesve Privat, brenda afateve sa më të arsyeshme kohore.”

Ndërkaq, në paragrafin 3 të këtij neni thuhet se pas pranimit të vendimit të plotfuqishëm ose urdhrit të formës së prerë, Thesari është i autorizuar dhe ka përgjegjësinë që menjëherë të marrë çfarëdo mase të nevojshme për pagimin e vendimit ose urdhërit nga ndarjet buxhetore në dispozicion.

Ndër të tjera, ministria deklaroi që vendimet e pranuara në Thesar nga Gjykatat dhe Përmbaruesit janë obligime të krijuara në kategoritë e ndryshme ekonomike për kontrata në mallra dhe shërbimeve si dhe investime kapitale.

Ndryshe nga Ministria e Financave, Sokol Haliti, kryetar i Komunës së Vitisë, thotë që sipas zyrtarëve financiarë të komunës sonë sistemi i pagesave është bllokuar pa asnjë njoftim paraprak nga ministria përkatëse.

Haliti pretendon se bllokimi është bërë për shkak të një fature që vjen nga kontrata kolektive në vlerë prej 744 mije eurove, e cila kontratë, sipas tij, nuk është nënshkruar nga komunat, që do të thotë nuk është kompetencë e qeverisë komunale, por e asaj qendrore.

Megjithatë, i pari i kësaj komune thotë se zyrtarët financiarë komunalë kanë bërë me dije se më vonë kanë pranuar një shkresë (email), e cila thekson kodet dhe kategoritë ekonomike, ku mund të merren paratë e kërkuara nga Kontrata Kolektive.

“Ky veprim nga ana e ministrisë është i padrejtë dhe nga ky bllokim ne kemi pësuar dëme në ekzekutimin me kohë të detyrimeve për shpenzimet e ndryshme komunale, përfshirë këtu investimet kapitale dhe projektet që janë duke u zhvilluar apo projektet që parashihen të zhvillohen”- tha Haliti për KALLXO.com.

Ai vlerëson se meqenëse komunat nuk kanë qenë nënshkruese të Kontratës Kolektive, Ministria përkatëse apo niveli qendror është dashur të marrë përsipër pagesat e këtyre kontratave, duke pasë parasysh që komunat kanë buxhet të limituar “ose është dashtë me abrogu vendimin”.

KALLXO.com ka dërguar pyetje dhe ka telefonuar kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe ka dërguar pyetje në këtë komunë në lidhje me çështjen, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

 Asociacioni i Komunave të Kosovës ishte ndër të parët që shprehu pakënaqësinë në lidhje me këtë veprim të Ministrisë së Financave, duke ia mbajtur anën dy komunave. 

Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tha se një bllokim i tillë është bërë për shkak të obligimeve që burojnë nga Kontratat Kolektive për arsim dhe shëndetësi.

“Për këto komuna është një shqetësim i madh dhe një shumë e papërballueshme për buxhetet komunale” – tha Ibrahimi.

Sipas tij, vlerësohet që kjo shumë është milionëshe dhe se kjo mund t’u ndodhë edhe komunave të tjera në të ardhmen.

“Komunat kërkojnë që Qeveria të bëjë zgjidhjen e pagesave për Kontratë Kolektive sepse ministritë janë nënshkruese të kontratave kolektive e jo komunat”- thotë Ibrahimi për KALLXO.com.

Me këtë rast, bordi i Asociacionit të Komunave ka kërkuar gjetjen e zgjidhjes sa më parë nga Ministria e Financave për këtë çështje, pasi që, sipas këtij bordi, po të bëhet anulimi i të gjitha projekteve të patenderuara, komunat nuk munden t’i mbulojnë as gjysmën e këtyre mjeteve.

Po ashtu, bordi ka kërkuar nga ministria përkatëse që sa më parë, t’i lejojë komunat të kenë qasje në sistemin e pagesave të zyrtarëve financiarë.

Një gjë e tillë, sipas bordit, është e padrejtë dhe ka bllokuar në tërësi punën dhe projektet që janë duke u zhvilluar e po ashtu edhe pagesat që duhet të bëhen në afat të caktuar.

Se kur do të zhbllokohet sistemi për komunat, Ministria e Financave thotë kjo gjë mund të ndodh në momentin kur organizatat buxhetore realizojnë përditësimet e nevojshme buxhetore në Sistemin Informativ për menaxhimin e Financave te Kosovës (SIMFK) për ekzekutimin nga Thesari të vendimeve Gjyqësore të formës së prerë.