Ministria e Financave thotë se kohëzgjatja e pagesave për COVID-19 dhe biznese varet nga komunat

Komuna e Prishtinës nga fundi i vitit 2020 dhe me hapjen e vitit fiskal në fillim të muajit shkurt 2021 ka vazhduar të kryejë pagesat për bizneset që ishin përfitues të grantit që kishte synim të ndihmojë bizneset e vogla të prekura nga pandemia COVID-19.

Përpos pagesave për biznese, komuna ka paraparë edhe 50 euro për qytetarët e prekur me COVID-19.

Ekzekutimi i këtyre pagesave po shkon ngadalë duke marrë parasysh ankesat e qytetarëve.

Muharrem Shahini, zyrtar për informim në Ministrinë e Financave ka thënë për KALLXO.com se të gjitha mjetet janë deleguar te komunat dhe u është dhënë alokimi për të proceduar tutje me pakot për biznese.

“Ju njoftojmë se sipas legjislacionit në fuqi, të gjitha shpenzimet duke përfshirë edhe subvencionet janë të deleguara -decentralizuara te organizatat buxhetore, në rastin konkret te komuna. Komuna ka buxhetin e ndarë me ligj, dhe i është dhënë alokimi për të proceduar me shpenzimet nga subvencionet (pakot për bizneset), ndërsa i gjithë cikli i shpenzimit duke filluar nga zotimi deri në shpenzim/certifikimi zhvillohet në mënyrë të pavarur nga zyrtarët financiar të Komunës, të cilët janë certifikuar nga Thesari”, ka thënë  Shahini.

Tutje sipas Shahinit, thesari në vazhdimësi procedon pagesat në baza ditore, kurse për afatin se kur kryhen pagesat sipas tij janë në kompetencë të stafit të komunës.

“Thesari në vazhdimësi procedon të gjitha lëndët e aprovuara përmes Sistemit për Menaxhimit të Financave Publike (SIMFK), çdo ditë, me së largu në ditën vijuese (kur shpenzimet ndodhin pasdite). Prandaj, për afatin se kur do të kryhen këto pagesa, varet nga ecuria e punës së stafit të Komunës, sipas procesit të kontrollit të brendshëm dhe hallkave të shpenzimit të organizatave buxhetore, ndërsa Thesari brenda kompetencave dhe fushëveprimit, do t`i procedojë transferet bankare për përfituesit në çdo kohë në baza ditore dhe me së largu brenda 24 orëve nga kur shpenzimi i tillë certifikohet nga komuna”, ka thënë tutje Shahini.

Ndërsa, drejtoresha e financave në Komunën e Prishtinës, Valbona Makolli, në mbledhjen e dytë të kuvendit të komunës lidhur me këto pagesa deklaroi se kanë si synim t’i kryejnë më së largu deri në fund të muajit mars, kurse vonesa ka ardhur si shkak i mungesës së masës monetare.

“Ne kemi filluar me shpërndarje në fund të viti 2020 por vonesat janë për shkak të mungesës së masës monetare. Bartja e parave ka filluar dhe ne përafërsisht po mendojmë që deri në fund të muajit mars të kompletojmë bartjen dhe ta sjellim në kuvend”, ka thënë Makolli.

Kallxo.com ka kërkuar detaje nga drejtoresha e Financave në Komunën e Prishtinës, Valbona Makolli, nëse ka ndryshuar ndonjë gjë në këtë proces nga raportimi i saj i fundit në kuvendin komunal, por nuk kemi marr ndonjë përgjigje.

Vonesat për ekzekutim të këtyre pagesave u bën edhe për shkak të mbylljes së vitit fiskal në fund të dhjetorit 2020 i cili u rihap në fund të muajit  janar 2021

Në total në Komunën e Prishtinës kanë përfituar 4,941 biznese, 1,976 mikro biznese me nga 600€ dhe 2,965 biznese te vogla me nga 1,300€.

Kjo është lista e bizneseve që përfituan grante nga Komuna e Prishtinës