Foto ilustruese: Pixabay

Ministria e Financave propozon ndarjen e 73 milionë euro për bizneset private

Ministria e Financave ka propozuar që t’i ndajë 73 milionë euro për bizneset private të cilat janë duke u ballafaquar me probleme ekonomike pas shpërthimit të pandemisë së Koronavirusit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka shkruar në Facebook se ministri i Financave, Besnik Bislimi ka propozuar t’i ndajë 41 milionë euro për pagat në sektorin privat.

12 milionë euro për pagesat e qirave për 2 muaj për bizneset private. Si dhe 20 milionë euro të tjera për likuiditet e kompanive.

“Ministri i Financave sapo propozoj: 41 milionë euro për paga, 12 milionë euro për qiratë (për 2 muaj) dhe 20 milionë për likuiditet të kompanive”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.

Rukiqi ka shkruar se për fillim kjo është diçka e mirë, mirëpo thotë se do të insistojnë edhe për mjete tjera shtesë.

“Kjo për fazën emergjente. Mirë për fillim, por do të insistojmë që në faza tjera të alokohen edhe mjetë shtesë”, ka shkruar tutje Rukiqi.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me ministrin e Financave dhe Tregtisë, Besnik Bislimi, por ai nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Qeveria e Kosovës me vendimin e datës 11 mars 2020 dhe vendime të tjera e ka ndërprerë përkohësisht veprimtarinë e shumicës së bizneseve të sektorit privat.

Përmes një letre ka propozuar disa rekomandime Qeverisë për sektorin privat ashtu që ndikimi i krizës të minimizohet sa më shumë që është e mundur.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka kërkuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës që të alokojë se paku 300 milionë euro për fazën emergjente të mbështetjes së sektorit privat.

Përfaqësuesit e sektorit privat – anëtarët e OEK dhe organeve drejtuese të saj, i sugjerojnë Qeverisë së Kosovës të zotohet për sigurimin e likuiditetit të mjaftueshëm në sistemin ekonomik të vendit, si në sektorin publik ashtu edhe në sektorin privat.

Më poshtë gjeni kërkesat e Anëtarësisë së Odës Ekonomike të Kosovës për Qeverinë e Kosovës:

– Të sigurohen pagat nga Qeveria për sektorin privat, për të gjitha bizneset, të cilave Qeveria e Republikës së Kosovës me vendimin numër 01/07 të datës 11.03.2020 dhe vendimet tjera pasuese ua ka ndërprerë veprimtarinë e tyre afariste, dhe këto biznese nuk mund të sigurojë më të hyra për pagat e të punësuarve në sektorin privat. Pagat e punëtorëve të sektorit privat të paguhen në bazë të listës së pagave të të punësuarve të realizuara nga muaji paraprak përmes ATK-Trusti.

– Të kompensohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës shpenzimet e qirasë së objekteve, zyrave, depove etj, të sektorit privat derisa të ndryshohet vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të filluar puna normale.

– Të paguhet nga Qeveria e Republikës së Kosovës tatimi në fitim, për kuartalin e parë (TM1) dhe obligimet tjera tatimore për sektorin privat, derisa të ndryshohet vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të filluar puna normale.

– Qeveria e Republikës së Kosovës të krijojë Fondin për mbështetje financiare – Pako stimuluese për sektorin privat.

– Të merren vendim nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtyrjen e afatit të raportimit financiar në Këshillin për raportim financiar të Republikës së Kosovës në afat prej 3 muajve.

– Të prolongohen obligimet e kësteve të kredive për sektorin privat në afatin kohor prej 3 muajve, duke filluar nga data 1 prill 2020 deri më datën 1 korrik 2020.

– Të zgjatet me automatizëm afati i licencave të operimit, për të gjitha licencat të cilave u ka skaduar afati, deri në marrjen e ndonjë vendimi tjetër.

– Të lirohen nga pagesat operatorët e transportit rrugor të udhëtarëve me rastin e vazhdimit të rendeve të udhëtimit nga MIA dhe të subvencionohet nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës regjistrimi i automjeteve transportuese për bartjen e udhëtarëve, mallrave, si dhe makineritë e pajisjet tjera të sektorit privat si dhe të lirohet nga akciza për derivate të naftës gjatë kohës sa zgjasin masat e Qeverisë.

– Të hiqet Vendimi administrativ i kufizimit në tërheqjen e parasë së gatshme nga llogaritë bankare komerciale e sidomos për institucionet financiare jo bankare nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës