Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Financave planifikon të blejë dron mbi 17 mijë euro

Ministria e Financave ka shpallur ri-tender për blerjen e një droni fluturues.

Sipas njoftimit për kontratë, të publikuar në platformën e-prokurim, kërkesa për të blerë këtë dron është për Departamentin e tatimit në pronë, dhe vlera e tenderit është 17 mijë e 500 euro. Ky tender është hapur më datën 15 të këtij muaji.

Lloji i procedurës të kësaj kontratë është e hapur.

Afati i fundit për pranim të tenderëve është data 06 nëntor 2020.

Për të njëjtën kërkesë ky dikaster kishte hapur tender edhe në muajin shtator por që u anulua ditë më parë. Arsyetimi për anulimin e këtij aktiviteti thuhet se “asnjë Operator Ekonomik nuk ka ofruar ofertë të përgjegjshme”.

Kjo ministri së fundmi është përfshirë në një skandal. Nga një zyrtar i Thesarit të Shtetit janë vjedhur mbi 2 milionë euro të taksapaguesve kosovar me datën 9 tetor.

Lidhur me këtë çështje, deri më tani janë arrestuar dy persona dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit.

Bëhet fjalë për Labinot Grudën, zyrtari në Ministrinë e Financave si dhe Kadri Shalën përfaqësues ligjor në Kompaninë LDA Group SHPK, kompania në të cilën janë transferuar paratë nga thesari.

Në dosjen e siguruar nga KALLXO.com zyrtari i Ministrisë së Financave Labinot Gruda kishte deklaruar se çështja e dy milionëve nuk kishte të bënte me të.

Kurse i dyshuari tjetër Kadri Shala i cili ishte vetë dorëzuar në Polici, para Gjykatës ka deklaruar se mjetet të cilat i ishin transferuar në xhirollogarinë e tij kishte menduar që ishin transferuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të destinuara për një projekt të cilin e kishte në plan ta realizonte.