Foto: Hykmete Bajrami/Facebook

Ministria e Financave nënshkruan me Bankën Botërore marrëveshje që ndihmon sistemin shëndetësor kundër COVID-19

Ministria  e Financave sot ka nënshkruar marrëveshjen e grantit me Bankën Botërore për projektin “Financimi i Emergjencës së Pandemisë”, në vlerë prej rreth 2 milionë euro.

Ministrja Hykmete Bajrami përmes një postimi në Facebook ka thënë se ky projekt ndihmon sistemin shëndetësor në Kosovë duke forcuar kapacitetet në zbulimin e COVID-19.

Sipas saj, projekti përfshin blerjen e pajisjeve diagnostifikuese, pajisjeve laboratorike dhe pajisjeve tjera të nevojshme për gjurmim  më të shpejtë të kontakteve.

“Ky projekt do të ndikojë poashtu në forcimin e sistemit të mbikëqyrjes së sëmundjeve dhe laboratorëve të shëndetit publik” ka shkruar Bajrami.

Projekti dhe financimi i kontribuon kredisë së nënshkruar dhe ratifikuar së fundmi me Bankën Botërore për “Projektin Emergjent COVID-19 për Kosovën”, në vlerë prej 46 milionë euro.