FOTO: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve

Ministria e Financave nënshkruan marrëveshje për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka nënshkruar dy marrëveshje për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Mitrovicës, në vlerë prej 19.8 milionë euro dhe 13.5 milionë euro.

Këtë marrëveshje ministri e ka nënshkruar së bashku me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Investime (BEI), Matteo Rivellini dhe Cagin Pabucco dhe me përfaqësuesin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillm (BERZh), Matteo Colangeli.

Ky projekt do të bashkë financohet nga këto institucione ku parasheh ndërtimin e këtij impianti dhe rehabilitimin e rrjetit ekzistues.

“Rreth 213,000 qytetarë të Komunës së Mitrovicës pritet të përfitojnë nga ky projekt, përmes përmirësimit të kushteve mjedisore dhe shëndetit publik”, njofton zyra për komunikim publik.

Sipas Ministrisë, zhvillimi i këtij projekti do të zvogëlojë ndotjen e mjedisit dhe veçanërisht lumin Ibër.

“Projekti mbështetet edhe nga Bashkimi Evropian, me një grant prej 5 milionë eurosh përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Më tutje, Ministri Murati ka thënë se ky projekt e vendos Kosovën një hap më afër BE-së.