Ministria e Financave me 25 milionë euro kredi nga BERZH-i për impiantin e ujërave të zeza në Podujevë

Ministria e Financave do të marrë  një kredi të re nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë.

Sipas njoftimit, projekti përfshin ndërtimin e një impianti të madh që do t’i shërbejë një popullate deri në 50 mijë banorë, si dhe ndërtimin e një impianti në shkallë të vogël, për trajtimin e ujërave të zeza dhe përmirësimin e rrjetit lokal të kanalizimeve.

Udhëheqësi i BERZH-it për Kosovë, Sergiy Maslichenko ka thënë se është krenar që BERZH po vazhdon mbështetjen e projekteve kyçe të infrastrukturës në Kosovë.

“Kjo iniciativë shënon një hap tjetër përpara në rritjen e kapaciteteve të vendit, për trajtimin e ujërave të zeza – duke adresuar një nevojë kritike për përmirësimin e higjienës dhe reduktimin e ndotjes së mjedisit për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Së bashku, jemi të përkushtuar për të krijuar zgjidhje të qëndrueshme që nxisin përparimin afatgjatë dhe një të ardhme më të shëndetshme për të gjithë.” – ka thënë ai.

Kurse kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se ky projekt do të jetë në përputhje me standardet evropiane.

“Ndërtimi i këtij impianti jo vetëm që do të sigurojë që trajtimi i ujërave të zeza të jetë në përputhje me standardet evropiane, por gjithashtu do të luajë një rol kyç në uljen e ndotjes së lumenjve dhe ruajtjen e burimeve ujore.” – ka thënë Bulliqi.

Zbatuese e projektit do të jetë Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ndërsa Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA) është duke e mbështetur këtë Kompani për përgatitjen e projektit, me një grant prej 270 mijë eurosh.

“BERZH-i do t’i ndihmojë Kompaninë edhe që të sigurojë bashkëpunim teknik shtesë dhe grante investimi, në mënyrë që ta bëjë këtë investim më të realizueshëm dhe të përballueshëm për Qeverinë e Kosovës.” – thuhet në njoftim.

BERZH është bankë shumëpalëshe që promovon zhvillimin e sektorit privat dhe iniciativat ndërmarrëse në 36 ekonomi në tre kontinente. Banka është në pronësi të 74 shteteve, si dhe të BE-së dhe BEI-së.

Deri më tani, kjo Bankë ka investuar më shumë se 770 milionë euro në Kosovë, përmes 120 projekteve.