Ministria e Financave: Ligji për Tatim në Pronë nuk e autorizon komunën për falje të pagesës

Asociacioni i Komunave të Kosovës, dy ditë më parë ka bërë të ditur se ka kërkuar opinion ligjor nga Ministria e Financave për propozimin që të falen 100 euro nga tatimi në pronë.

Sipas AKK-së, kjo kërkesë është shtruar nga kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Në përgjigjen e ministrisë ndaj Lladrovcit, thuhet se pas shqyrtimit të dispozitave të Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, legjislacioni aktual nuk autorizon komunën për falje të pagesës së tatimit në pronë.

“Në kapitullin VI të LTPP-së evidentohet se pagesa e tatimit në pronë është e detyrueshme. Më tej, ky kapitull përmban edhe autorizime për shtyrje të pagesës por jo edhe të faljes. Andaj, vlerësojmë se për një falje të tillë, duhet një akt juridik që ka fuqi juridike të ligjit. Për qëllime të ilustrimit, një situatë e ngjashme ishte adresuar përmes miratimit të Ligjit Nr. 05/L-043 për Faljen e Borxheve Publike, ku u miratua një ligj i cili ka autorizuar shprehimisht faljen e borxhit”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

AKK-ja në shkresën e saj ka konsideruar se opinioni ligjor nga ministria do të sqarojë dilemat e ligjshmërisë rreth propozimit të ministrit Murati për faljen e 100 eurove nga tatimi i pronës për vitin 2023.

“Sot, është parashtruar kërkesa për Opinion ligjor nga Kryetari i Drenasit, z.Ramiz Lladrovci drejtuar Ministrisë së Financave, Transfereve dhe Punës duke e vënë në dijeni edhe Kryeministrin, Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe palët e interesit. Konsiderohet se Opinioni ligjor nga Ministria e Financave Transfereve dhe Punës do të sqaroj dilemat e ligjshmërisë rreth propozimit të Ministrit z.Murati për “faljen e 100 eurove nga tatimi i pronës për vitin 2023”- thuhej në njoftim.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, më 28 janar propozoi që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të tatimit në pronë për vitin 2023.

Ky propozim i tij erdhi pas reagimeve të shumta të qytetarëve pas rivlerësimit të pronave që është kryer nga Ministria e Financave.

Ministria ka vlerësuar pronat në bazë të dhënave të tregut gjë që ka shkatuar rritje të vlerës.

Lidhur me këtë propozim të ministrit Murati ka reaguar nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj i cili ka thënë se komunat nuk kanë të drejtë të falin borxhe pasi tatimi në pronë është obligim që rrjedh nga Ligji për Tatimin në Pronë, i aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, vetëm Kuvendi i Republikës ka të drejtë që ta ndryshojë ose eventualisht të falë obligimet që dalin nga ky ligj.

Ditëve të fundit ka pasur shumë reagime nga qytetarët rreth ngritjes së çmimit të tatimit në pronë.

AKK: Kërkohet opinion ligjor nga Ministria e Financave për faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë