Sulm kibernetik - Foto: REL/Reuters

Ministria e Financave dhe Policia nuk tregojnë se çfarë të dhëna të qytetarëve u përdoren gjatë sulmit kibernetik

Gjatë ditës së djeshme në Ministrinë e Financave ka pasur sulm kibernetik. Ky sulm është kryer në Departamentin e Tatimit në Pronë, përkatësisht në Sistemin Informativ të shërbimit online për shtypjen e faturës së tatimit në pronë.

Përmes një komunikate për media, dje, Ministria e Financave e konfirmoi sulmin kibernetik, duke thënë se është tentuar të lexohen të dhënat e faturave të tatimit në pronë.

Për të arritur këtë qëllim, sulmuesit kibernetik kanë përdorur të dhëna personale të Regjistrit Civil të Kosovës.

“Ministra e Financave njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se Sistemi Informativ i Tatimit në Pronë, më saktësisht shërbimi online për shtypjen e faturës së tatimit në pronë është tentuar të keqpërdoret nga sulmues kibernetikë të pa-identifikuar deri me tani, të cilët kanë përdorur të dhëna personale të Regjistrit Civil të Republikës së Kosovës përmes të cilave kanë tentuar të lexojnë të dhënat e faturave të tatimit në pronë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Tutje, Ministria ka ‘siguruar qytetarët se sulmi i tentuar nuk ka arritur të cenojë integritetin dhe sigurinë e Sistemit Informativ në fjalë’.

Por Ministria nuk ka ofruar ndonjë përgjigje se si janë cenuar të dhënat personale të Regjistrit Civil, përmes të cilave ‘hakuesit’ kanë tentuar qasje në faturat e tatimit në pronë.

“Lidhur me rastin janë njoftuar organet kompetente të cilat janë duke zhvilluar hetimet e nevojshme. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit aktualisht nuk mund të ofrojmë informacione”, thuhet në përgjigjen e MI-së, dhënë për KALLXO.com.

As Policia e Kosovës nuk ka qenë në gjendje të ofrojë një përgjigje konkrete se çfarë të dhëna të Regjistrit Civil janë përdorur, për të kryer sulmin kibernetik.

Në raportin 24 orësh të Policisë, rasti përmendet, por nuk ofrohet informatë e saktë se çfarë të dhëna të qytetarëve janë përdorur.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se me ditë më parë sipas mirëmbajtëseve të IT-së së institucionit, dyshohet se ka pasur tentim/hyrje në sistemin kompjuterik. Mirëmbajtësit e IT-së  kanë arrit që  ta ndalojnë në vazhdim hyrjen në sistemin kompjuterik dhe lidhur me këtë janë duke u kryer hetime nga njësitë kompetente”, thuhet në raportin e Policisë.

KALLXO.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës, për të marrë më shumë informata rreth rastit. Në një përgjigje me shkrim, Policia ka sygjeruar që t’i referohemi raportit, pa ofruar informata shtesë.

Pas insistimit të KALLXO.com, për të marrë informatat shtesë, Policia nuk ka kthyer përgjigje, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Ndërsa gjatë ditës së sotme Këshilli Shtetëror për Siguri Kibernetike ka mbajtur një takim.

Sipas një komunikate për media, Këshilli ka siguruar qytetarët se nuk ka arsye për shqetësim.

“I sigurojmë qytetarët e Republikës së Kosovës se nuk ka arsye për shqetësim pasi që të gjitha mekanizmat institucional janë duke trajtuar çdo kërcenim. Ju siguroj që sistemet shtetërore me të dhënat e qytetarëve dhe institucioneve janë të sigurta”, citohet të ketë thënë Koordinatori Nacional për siguri kibernetike, Zafir Berisha.

 

Ministria e Financave: Sulmi kibernetik, u tentua leximi i të dhënave të tatimit në pronë