Ministria e Financave del me njoftim për pagat e mësimdhënësve

Ministria e Financave ka paralajmëruar ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit, në formë të avansit, siç ka propozuar Ministria e Arsimit.

Në njoftimin e tyre thuhet se duke e marrë parasysh miratimin e kalendarit të ri mësimor nga MASHTI, që parashah zëvendësimin e orëve të muajit shtator, ka kërkuar nga Organizatat Buxhetore (Komunat), që të rikonfirmojnë listat e pagave.

“Organizatat Buxhetore (Komunat) duhet të vendosin nëse do të procedojnë pagat si paradhënie për orët e Shtatorit që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri mësimor të miratuar nga MASHTI, përndryshe duhet të veprojnë sipas nenit 18 të Ligjit për Greva” – thuhet në njoftim.

Ministria ka thënë se pas përfundimit të procedurave dhe rikonfirmimit të listave nga Komunat që avansi të paguhet në përputhje me kalendarin e ri mësimor, pagat do të procedohen menjëherë sot.

“E gjithë kjo, duke pasur parasysh që mësimdhënësit në Kosovë nuk janë më në grevë, se mësimi i nxënësve tani në të gjitha shkollat e nivelet po zhvillohet dhe se shumica e mësimdhënësve nuk e kanë preferuar dhe nuk janë pajtuar me grevën, dhe se MASHTI ka miratuar kalendarin e ri mësimor që parasheh mbajtjen e orëve të Shtatorit, duke siguruar kështu edhe ligjshmërinë e shpenzimit të parasë publike” – thuhet në fund të komunikatës së Ministrisë së Financave.

Propozimi i Ministrisë së Arsimit është që mësimdhënësit të paguhen në formë të avansit këtë muaj, për orët e humbura të grevës që do t’i kompensojnë sipas kalendarit të ri mësimor.

Ndërsa kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, të mërkuren kishte thënë se së pari duhet të paguhen pagat, e më pastaj të diskutohet për kompensimin e orëve të humbura.