Ministria e Financave: Buxheti komunal për vitin 2023 është rritur për 86.1 milionë euro
Ministria e Financave ka njoftuar se është aprovuar financimi lokal për vitin 2023.
Sipas kësaj ministrie, ky grant i përgjithshëm për vitin 2023 u miratua me rritje prej 32% që paraqet rritjen më të madhe ndonjëherë, e cila e shprehur në vlera nominale kap shumën prej 255.2 milionë euro.
“Kjo rritje e theksuar e vlerës së Grantit të Përgjithshëm vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes rekord të të hyrave në Buxhetin e Shtetit”, thuhet në komunikatën e ministrisë.
Përmes kësaj rritjeje, ministria ka njoftuar se do ketë shtim dhe reformë në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë.
Në fushën e arsimit rritja do të mundësojë për të shtuar politika të reja si shtimi i numrit të asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta në 500, angazhimi i 59 konsulentëve të karrierës nëpër shkollat e mesme të ulëta në vend, si dhe shtimi i 30 profesionistëve të Teknologjisë Informative.
Në sektorin e shëndetësisë kjo rritje do të përfshijë shtimin e personelit shëndetësor prej 299 profesionistësh në shëndetësinë primare, vizitat për gra shtatzëna e fëmijë, si dhe vizitat për persona në kujdes paliativ, apo persona që vuajnë nga sëmundje kërcënuese për jetën.
“Në total, buxheti komunal për vitin 2023 është rritur për 86.1 milionë euro më shumë krahasuar me vitin paraprak”, përfundon komunikata.