Ministria e Financave: 351 rekomandime të auditorëve të brendshëm nuk janë zbatuar

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka prezantuar raportin për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike për institucionet e sektorit publik për vitin 2019.

Ky raport që është shpërndarë në 104 subjekte të sektorit publik, si në nivelin qendror ashtu edhe lokal.

Pjesë e këtij raporti kanë qenë për herë të parë edhe Ndërmarrjet Publike në Kosovë.

Nga 104 pyetësor të dërguar nëpër këto institucione, 101 prej tyre i kanë plotësuar.

Ky raport sipas ministres Bajrami ka nxjerrë në pah se nga 71 njësi të auditimit të brendshëm, 68 prej tyre kanë raportuar, ndërsa nga 19 ndërmarrje publike, vetëm 1 nuk ka raportuar.

Ministrja Bajrami ka deklaruar se nga 491 auditime të sektorit publik, janë dhënë 2142 rekomandime, ku një pjesë e saj nuk është zbatuar fare.

“Gjatë 2019 janë kryer 491 auditime të brendshme dhe janë dhënë 2142 rekomandime për përmirësimin e sistemit të kontrollit të brendshëm. Prej këtyre rekomandimeve, nga menaxhmenti janë zbatuar 48.03%, në proces të zbatimit janë 34%, nuk janë zbatuar 351 rekomandime apo 16.39%”, është shprehur ministrja Bajrami.

Sipas saj, në vitin 2019 ka një ulje prej 4% të zbatimit të rekomandimeve të auditimeve të brendshme.

“Krahasuar me vitin 2018, paraqet një ulje të zbatimit të rekomandimeve për 4%”, është shprehur ministrja Bajrami.

KALLXO.com ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Financave për të marrë një kopje të këtij raporti, mirëpo deri më tani kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.