Ministria e Finacave u dërgoi gabimisht qytetarëve mesazhe telefonike për pagesat nga pakoja emergjente

Dhjetëra qytetarë gjatë ditës së djeshme kanë marrë porosinë përmes sms-ve në telefonat e tyre se janë përfitues të pagesave të ekzekutuara nga Ministria e Financave në kuadër të pakos emergjente.

Ndërkohë që sot gjatë ditës Ministria e Financave të njëjtit i ka njoftuar se janë bërë gabime në dërgimin e mesazheve telefonike.

Se kanë ndodhur gabime të tilla, këtë e ka pranuar vet ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.

Ajo në një sqarim publik të publikuar në llogarinë e saj në Facebook ka thënë se disa qytetarë kanë pranuar mesazhe gabimisht.

“Sot, disa qytetarë të Republikës së Kosovës kanë pranuar GABIMISHT një mesazh se janë përfitues të masës 15. Ky GABIM ka ndodhur pasi Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përgjegjëse për masën 15 të Pakos Emergjente, ka dërguar listën jo të SAKTË në Ministrinë e Financave. Pasi janë dërguar mesazhet telefonike, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale na ka njoftuar se ka dërguar listën e gabuar. Menjëherë është përmirësuar ky gabim dhe secilit qytetar i është dërguar edhe mesazhi sqaruar dhe kërkim falja”, ka shkruar ministrja Bajrami.

Njoftimi i plotë i ministres së Financave, Hykmete Bajrami:

Sqarim

Sot, disa qytetarë të Republikës së Kosovës kanë pranuar GABIMISHT një mesazh se janë përfitues të masës 15.

Ky GABIM ka ndodhur pasi Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përgjegjëse për masën 15 të Pakos Emergjente, ka dërguar listën jo të SAKTË në Ministrinë e Financave. Pasi janë dërguar mesazhet telefonike, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale na ka njoftuar se ka dërguar listën e gabuar. Menjëherë është përmirësuar ky gabim dhe secilit qytetar i është dërguar edhe mesazhi sqaruar dhe kërkim falja.

Edhe tash kërkoj falje secilit qytetar dhe ju njoftoj se kam kërkuar përgjegjësi hierarkike dhe politike për këtë lëshim. Do të ketë llogaridhënie prej secilit person të përfshirë në këtë rast. Kam kërkuar edhe përgjegjësi politike dhe për këtë problem është njoftuar edhe Kryeministri Hoti.

Për çfarëdo sqarimi tjetër mund të drejtoheni në Qendrën për Punë Sociale në komunën ku jetoni.

Gabimet e tilla do t’i eliminojmë dhe do të vazhdojmë pagesën për të gjitha pikat e Pakos Emergjente.

Në bazë të ligjeve në fuqi, të gjithë këta qytetarë kanë të drejtë ankesë brenda 30 ditëve nga data kur janë njoftuar për vendimin. Rrjedhimisht, qytetarët e pakënaqur mund të ushtrojnë ankesë lidhur me refuzimin e aplikacionit të tyre, pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Hykmete N. Bajrami