Foto: Ministria e Ekonomisë

Ministria e Ekonomisë: Rritja e çmimit të rrymës të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh

Pas reagimeve ndaj paralajmërimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 15%, Ministria e Ekonomisë ka dalë me një komunikatë për këtë çështje.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, më 14.03.2025 Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka publikuar raportet konsultative lidhur me shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025. 

Ministria thot se ka analizuar këto raporte dhe trendet në sektor bashkë me Qeverinë e Kosovës. Pas analizimit, i janë drejtuar ZRRE-së me komente dhe sugjerime.

Ata kanë propozuar që rritja e çmimit të energjisë të mos prekë amvisëritë deri në një vlerë të konsumit të energjisë nga ana e tyre.

“Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e drejtë që rritja të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh dhe të shtohet numri i brezeve (blloqeve) të konsumit për konsumin mbi 800 kWh” – thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë më 28.03.2025.

Më tej, Ministria i siguron qytetarët se kanë ndërmarrë dhe janë duke ndërmarrë çdo veprim të mundshëm për të kufizuar ndikimin në tarifa të konsumatorëve. 

Nga Ministria kanë bërë të ditur këta faktorë të brendshëm, të cilët sipas tyre, kanë ndihmuar në uljen e presionit mbi tarifa:

1. Çmimi i shitjes së energjisë elektrike nga KEK-u nuk është rritur këtë vit, dhe as përgjatë viteve të kaluara. Duke qenë prodhuesi kryesor i energjisë eletrkike në Kosovë, kjo ka kontribuar për të frenuar rritjen e çmimit për qytetarët e bizneset. Gjatë vitit 2024 KEK ka pasur prodhim 7% më të lartë krahasuar me vitin paraprak (sipas të dhënave nga KOSTT dhe KEK).

2. Në vitet 2022-2024 është stabilizuar dhe kthyer mbrapsht edhe trendi i rritjes së sasisë së importit që ishte në rritje që nga viti 2017. Përderisa sasia e importit në Kosovë në periudhën 2017-2021 është rritur mesatarisht 18.1% në baza vjetore (sipas të dhënave nga KOSTT), përgjatë 3 viteve të fundit është ulur mesatarisht për 3.3% .

3. Konsumi i amvisërive, që po rritej me ritme jashtëzakonisht të larta në periudhën (2017-2021), duke rritur edhe nevojën për import, tashmë është stabilizuar. Që nga heqja e bllok-tarifës nga ZRrE më 2017, amvisëritë rritën konsumin për mesatarisht 7.2% çdo vit, duke rritur edhe nevojën për import. Nga ana tjetër, në 3 vitet e fundit, me zbatimin e investimeve në efiçiencë të energjisë nga Qeveria dhe vendosjen e bllok-tarifës nga ZRrE, konsumi i amvisërive është rritur për më pak se 0.2% mesatarisht. Madje, kjo përkundër kyçjes në sistem të 63 mijë shtëpive e banesave të reja.

4. Megjithatë, të dhënat e disagreguara tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e konsumit gjatë dimrit vjen nga një përqindje e vogël e konsumatorëve. Për shembull, në nëntor 2024, 12% e amvisërive (me konsum mbi 1000 kWh) kanë konsumuar 39% të energjisë elektrike të gjithëmbarshme; ose, në janar 2025, 9% e konsumatorëve (me konsum mbi 2000 kWh) kanë konsumuar 29% të energjisë së gjithëmbarshme elektrike, dhe më shumë se të gjithë konsumatorët që kanë shpenzuar nën 800 kWh së bashku (sipas të dhënave nga furnizuesi).

5. Konsumi i bizneseve në treg të rregulluar është rritur mesatarisht për 6.5% në tri vitet e fundit, që reflekton aktivitet të shtuar ekonomik në vend. Me rritjen shumë më të shpejtë të konsumit të bizneseve, dhe me konsum stabil të amvisërive, pjesëmarrja e bizneseve ka në konsumin e energjisë elektrike në treg të rregulluar ka arritur rekordin 38%, nga 31.9% e 32.9% sa ishte në vitet 2020-21.

Tutje, Ministria e Ekonomisë teksa e ka arsyetuar rritjen e propozuar të tarifave për energjinë elektrike përmes dy faktorëve, ka thënë se “përkundër stabilizimit të kërkesës së amvisërive dhe sasisë së importuar, mungesa e serioze në kapacitetet gjeneruese të KEK-ut dhe çmimet e larta të importit paraqesin sfidë për sistemin tonë elektroenergjetik”.

Ministria ka treguar edhe çmimet mesatare të importit të rrymës: “Gjatë muajve të këtij dimri (tetor 2024-shkurt 2025) ishte mesatarisht 151 Euro/MWh (sipas të dhënave nga HUPX). Për ilustrim, para krizës energjetike (2011-2020) ky çmim ishte 46 Euro/MWh, ndërsa në vitet 2021-2024 ishte 148 Euro/MWh”.

Po ashtu, Ministria ka paralajmëruar se gjatë këtij viti KEK do të fillojë investimet në rehabilitim të TC “Kosova B” dhe për këtë arsye do të ketë ndalje disamujore të blloqeve gjatë periudhës 2025-2027.

ME konsideron se investimet në Termocentralin ‘Kosova B’ janë të domosdoshme për të parandaluar ndërprerje serioze në furnizim. 

“Kontributi juaj sot siguron zgjatje të jetëgjatësisë së termocentralit për 20 vite, prodhim të rregullt dhe ulje të ndjeshme të ndotjes së ajrit dhe varësisë nga importet e shtrenjta. Investimet rrisin kapacitetin e termocentralit për 80 MW dhe prodhimin vjetor për 600 GWh, duke ulur importin për së paku 23 milionë Euro në vit dhe rritur eksportin për së paku 20 milionë Euro në vit” – ka shtuar ME.

Ministria thot se modernizimi i sistemit energjetik të Kosovës do të marrë kohë, por ai siguron përfitime afatgjata për ekonominë dhe shëndetin e qytetarëve dhe të brezit të ardhshëm. 

ME premton se në vitet e ardhshme do të rriten edhe më shumë investimet në efiçiencë, investime këto që do të ndodhin paralelisht me: rehabilitimet e dy termocentraleve, ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga era e dielli, bateritë për ruajtjen e energjisë, zgjerimin e rrjetit dhe rritjen e kapacitetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë, dhe në afat të mesëm ndërtimin e sistemeve të reja të ngrohjes qendrore në qytete të tjera.

Gjatë ditës, rritjen e paralajmëruar të çmimit të rrymës e ka kundërshtuar edhe Presidenca e Kosovës,

Kurse, LDK e ka fajësuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti dhe e kanë konsideruar këtë rritje si “goditje të drejtpërdrejtë ndaj standardit jetësor të qytetarëve”.

Kallxo Përnime” ka raportuar më 14.03.2025 se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) kishte propozuar rritje të çmimit të energjisë elektrike përreth 15%.

Shtrenjtimi i rrymës sipas këtij propozimi pritet të ndodhë nga muaji prill i këtij viti.

Më poshtë mund ta ndiqni hulumtimin e plotë në lidhje me çmimin e rrymës:

Si pasojë e diskutimeve për mundësinë e shtrenjtimit të rrymës, aktivistë të nismës “Asnjë cent më shumë” e kanë gjujtur me tortë kryetarin e bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, më 27.03.2025, në Prishtinë.

Torta mbante mbishkrimin “15%”.

Video është publikuar në faqen e Facebookut “KEDS t’i kthehet Kosovës”.