Ministria e Ekonomisë reagon pas lëkundjeve të tërmetit që janë ndjerë edhe në Kosovë

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se Kosova nuk është goditur nga tërmeti, por janë ndjerë lëkundje të shkaktuara nga tërmeti që ishte me epiqendër në Rumani.

Kjo ministri ka thënë se bazuar në Rrjetin Sizmologjik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të të dhënave të ngjarjes sizmike, Rumania është goditur me një tërmet me magnitudë 5.7 sipas shkallës Rihter.

“Bazuar në Rrjetin Sizmologjik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të të dhënave të ngjarjes sizmike, më datë 14.02.2023 në ora 14:16 sipas kohës lokale, Rumania është goditur me një tërmet me magnitudë 5.7 sipas shkallës Rihter, përkatësisht me intensitet VII-VIII ballë të Merkalit. Thellësia hipoqendrore ishte 40 kilometra” – thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se lëkundjet e tërmetit janë ndjerë nga qytetarët e Kosovës për shkak të fuqisë së tërmetit dhe veprimit të energjisë së liruar në një rreze deri në 500 km.

Pak minuta pasi u dëgjuan lëkundjet e tërmetit, Shemsi Mustafa nga Instituti Sizmik i Kosovës ka bërë thirrje që të mos krijohet panik tek qytetarët, sipas tij me të dhëna jo të sakta.

“Ju lutemi, mos të krijohet panik tek qytetarët, me tituj me të dhëna jo të sakta. Në Kosovë nuk kishte tërmet” – ka thënë ai.

Tutje Mustafa ka thënë se tërmeti ka goditur Rumaninë, por për shkak të fuqisë dhe energjisë se liruar dhe përhapjes nëpërmjet valëve sizmike është kapur distanca deri 500 kilometra.

Sipas “DistanceFromTo” që është një kalkulator që mat distancën në mes vendeve dhe është e mundësuar nga “OpenStreetMap”, distanca në mes Kosovës dhe Rumanisë është 493 kilometra.

Më 6 shkurt, Turqinë e goditën dy tërmete mbi 7 shkallë të Rihterit, të cilët lanë të vdekur mbi 37 mijë persona në Turqi dhe Siri.