Ministria e Ekonomisë ka propozuar të mos ketë shtrenjtim të rrymës deri në 800 kWh

Ministria e Ekonomisë ka kërkuar nga Zyra e Rregullatori të Energjisë (ZRrE) që pragu i dyfishimit të çmimit të energjisë elektrike të jetë deri në 800 kWh.

Kështu ka thënë Adnan Preniqi nga Ministria e Ekonomisë në emisionin “Kallxo Përnime”.

“Kemi vlerësuar që të shikohet mundësia që të rritet pragu deri në 800 kWh në mënyrë që ky prag të përfshijë sa më shumë konsumatorë”, tha Preniqi.

I njëjti tha se është vlerësuar nga grupi punues i kësaj Ministrie që është marrë me analizimin e propozimit të ZRrE-së se pragu deri në 600 kWh është i vogël.

““600 kWh është shumë e vogël, për arsye se shumë konsumatorë e përdorin energjinë për nevoja të ngrohjes, kështu ne kemi konstatu që duhet të jetë 800 kWh”, është shprehur ai.

Tutje Preniqi ka thënë se nga ana e Ministrisë së Ekonomisë është propozuar që të ketë disa nivele të bllok-tarifave dhe të bëhet shpërndarje në disa bllok-tarifa.

ZRrE para disa ditësh kishte vendosur se palët që dëshirojnë të shprehin mendimet e tyre ndaj propozimit të ZRrE-së për rikthimin e bllok-tarifës mund të dërgonin komentet e tyre lidhur me këtë çështje.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 17 janar 2022 kishte propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovatë të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kWh e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiakë për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 centë për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ulët apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 centë është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.