Ministria e Ekonomisë fillon projektin “Ndërgjegjësimi për higjienën kibernetike”, do të realizohet në rreth 250 shkolla të Kosovës

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar më 18.09.2024 se ka filluar punën projekti “Ndërgjegjësimi për higjienën kibernetike” për nxënësit.

Sipas njoftimit, ky projekt është fillimi i një iniciative thelbësore për sigurinë digjitale të nxënësve, për të forcuar njohuritë dhe praktikat e sigurisë digjitale, veçanërisht për nxënësit e moshës 6-16 vjeç dhe edukatorët në rreth 250 shkolla në Kosovë.

“Qëllimi i këtij projekti është që nxënësit të pajisen me mjetet dhe njohuritë thelbësore për të mbrojtur jetët e tyre digjitale, ndërkohë që ekipi i dedikuar do të mbulojë deri në 15,000 nxënës, duke ofruar sesion trajnimi me zgjatje 90 minuta në çdo vendndodhje”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.

Sesionet e projektit, sipas Ministrisë së Ekonomisë, do të përfshijnë një përmbledhje teorike, demonstrim praktik dhe seancë pyetjesh dhe përgjigjesh për të adresuar çdo pyetje rreth sigurisë kibernetike.

Ministria theksoi se përmes projektit të suksesshëm “Projekti i Kosovës për Ekonomi Digjitale” po vazhdon punën në ndërgjegjësimin, zhvillimin dhe promovimin e sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve.