Ministria e Ekonomisë: 164 konsumatorë u zunë duke vjedhur rrymë

164 konsumatorë janë zënë duke vjedhur energji elektrike nga gjithsej 1976 kontrolle të kryera nga 21 deri më 27 nëntor.

Kështu ka njoftuar Ministria e Ekonomisë, për kontrollet që kryhen nga Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).

Ministria e Ekonomisë kishte thënë se humbjet komerciale apo vjedhjet e energjisë elektrike vetëm në vitin 2021 arrijnë shifra aq të larta sa dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë një muaj për t’i mbuluar ato.

Ministria e Ekonomisë më herët kishte thënë se kostoja e vjedhjes së energjisë elektrike në vitin 2021 ka qenë 110 milionë euro, ndërkaq këtë vit parashihet që të arrijë në vlerën prej 99 milionë eurosh.

Furnizimi me rrymë në Kosovë, aktualisht, është i mirë, por nuk ka asnjë garanci se kështu do të jetë edhe gjatë dimrit, thonë nga Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë – KEDS.

Sipas tyre, furnizimi në stinën më të ftohtë të vitit, kur edhe rritet nevoja për ngrohje, do të varet nga niveli i prodhimit vendor të rrymës, niveli i konsumit dhe çmimi në berzat ndërkombëtare.

Ky i fundit ka ndryshuar shumë gjatë muajve të fundit, për shkak të krizës globale energjetike, të thelluar nga lufta në Ukrainë.