Ministria e Drejtësisë thotë se nuk ka pranuar ekspertizën e rastit Dehari
Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, është deklaruar rreth raportit përfundimtar të ekspertizës në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit nga Instituti zviceran.
Pretendimet e avokatit Tom Gashi se kjo ekspertizë ka ardhur Tahiri i ka quajtur të pavërteta.
“Deklarimet e avokatit Tomë Gashi, të shfaqura në publik, në lidhje me pranimin e Raportit përfundimtar të ekspertizës për rastin e Astrit Deharit, nga Ministria e Drejtësisë, janë pretendime të pavërteta, tendencioze dhe absolutisht jo profesionale. Për hir të informimit të drejtë të opinionit, dëshiroj të ju njoftoj se asnjë dokument me çfarëdo përmbajtje që lidhet me rastin Dehari nuk ka arritur në adresë të Ministrisë së Drejtësisë” thuhet në reagimin e Tahirit.
Tahiti tutje ka thënë se profesionalisht, avokati Gashi është dashur ta dijë se kjo çështje i takon organeve të zbatimit të ligjit dhe jo Ministrisë së Drejtësisë.
“Roli im si ministër i Drejtësisë me të marrë mandatin, ka qenë trajtimi i nevojshëm, sipas kërkesës së familje Dehari, për të mundësuar një super-ekspertizë jashtë vendit në një prej qendrave më të njohura të mjekësisë ligjore në Evropë.Me kohë, kemi siguruar edhe mjetet financiare për ekspertizën dhe organet e pavarura të sundimit të ligjit janë vënë në kontakt me Institutin e Lozanës në Zvicër, që ishte preferenca e familjes Dehari”, thuhet në reagimin e Tahirit.
Ai tutje ka shtuar se pretendimet e avokatit Gashi janë të pabaza, jo profesionale dhe tendencioze, prapa së cilave sipas tij fshihet mungesa e njohurive procedurale.
Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016 me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Instituti i Mjekësisë Ligjore vdekjen e Deharit e konsideroi vetëvrasje, ndërsa disa ekspertë të pavarur të ngarkuar nga familja këtë vdekje e cilësuan vrasje.
Familja Dehari kishte kërkuar ekspertizë lidhur me vdekjen e tij nga instituti zviceran.