Ministria e Drejtësisë premton pagat për Shërbimin Korrektues

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu priti sot në takim krerët e Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Sipas komunikatës së lëshuar nga kjo ministri thuhet se diskutimi në këtë takim kryesisht kishte të bënte me trajtimin më dinjitoz të punëtorëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke adresuar kërkesat e tyre në raport me pagesat shtesë të premtuara nga Qeveria e RKS-së, ndryshimin dhe përplotësimin e ligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe statusin e tyre, ligjin për pagat, pensionet bazë, sigurimin shëndetësor, për pajisje me uniforma të reja dhe gjithashtu për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të përgjithshme të stafit etj.

“Ministrja Haxhiu shprehi vullnetin dhe mbështetjen e pakursyer për të proceduar më tutje kërkesat e sindikatës së punëtorëve, në mënyrë që të gjithë ata, pa dallim, të kenë kushte më të përshtatshme pune, të trajtohen më me dinjitet dhe ta kenë respektin e merituar dhe mbështetjen institucionale”, thuhet në komunikatë.

Haxhiu njoftoi përfaqësuesit e sindikatës që Qeveria e Republikës së Kosovës po angazhohet gjithandej sektorëve drejt një progresi të dukshëm sa i përket edhe përplotësimit të kushteve të punës por edhe shërbimeve të merituara të punëtorëve qoftë në nivel të sigurimeve shëndetësore, pensioneve, përmirësim të pagave, kushteve të punës etj.

Përfaqësuesit e Sindikatës shprehën mirënjohjen për pritjen e Ministres dhe konsideratën për kërkesat e tyre të shprehura në takim, ndërsa ministrja Haxhiu falënderoi për punën dhe angazhimin si dhe adresimin e kërkesave të përbashkëta të punëtorëve.

Përfaqësuesit sindikalë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës u kryesuan nga Kryetari i Sindikatës Zenun Sadikaj dhe nënkryetari Frashër Racaj dhe të tjerë të cilët u pritën në takim nga ministrja Albulena Haxhiu, si dhe këshilltarët e ministres Genc Nimoni-shef i kabinetit, dhe Flamur Pireva.