Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Ministria e Drejtësisë jep detaje për zyrtarin e infektuar me COVID-19

KALLXO.com raportoi minuta më parë së një zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Lidhur më këtë kjo Ministri ka deklaruar se zyrtari është karantinuar dhe është rast kontakti.

“Ministria e Drejtësisë ju njofton se gjatë ditës së hënë, më datë 11 maj 2020, pas testimit për COVID- 19 nga IKSHPK-ja, një zyrtar i MD-së ka rezultuar pozitiv dhe i njëjti është karantinuar sipas udhëzimeve të Institutit. Rasti i zyrtarit është rast kontakti”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.

Më tej kanë njoftuar se të gjithë zyrtarët e tjerë të cilët kanë pasur kontakte me zyrtarin e infektuar janë karantinuar.

“Ministria e Drejtësisë ju njofton se të gjithë zyrtarët e tjerë të cilët kanë pasur kontakte me zyrtarin e infektuar janë karantinuar dhe pritet që ditët në vijim të testohen nga IKSHPK-ja. Ministria e Drejtësisë do ndërmarr të gjitha masat e parapara, duke dezinfektuar hapësirat e punës dhe duke vendosur masa higjenike në ambientet e MD-së”, thuhet në njoftim.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, minuta më parë ka konfirmuar për KALLXO.com se një zyrtar i kësaj ministrie është njëri nga 11 personat që dolën pozitiv për coronavirus sot.

Gjatë ditës së sotme Kryeministri Albin Kurti Kurti dhe Ministri i Integrimeve Europiane, Blerim Reka janë vetizoluar.

Por që KALLXO.com konfirmoi se shoferi i Ministrit të Integrimeve Evropiane, Blerim Rekas ka rezultuar negativ në testimin e parë për coronavirus.

Numri total i të prekurve me coronavirus ka arritur në 895, prej tyre 657 të shëruar dhe 28 të vdekur.