Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Ministria e Drejtësisë jep detaje për Projekt-kodin e ri Civil, ndryshime do ketë në nenin që rregullon martesat e gjinisë së njëjtë

Projekt-kodi Civil, që kishte nxitur debat të madh muaj më parë, tashmë është në fazën finale dhe pasi të finalizohet do të ri-procedohet tutje për miratim në Kuvend.

Kështu kanë bërë të ditur Ministria e Drejtësisë për KALLXO.com.

Ndonëse nuk jepen detaje shtesë, sipas MD-së, ndryshime do të ketë në nenin 1138 të Projekt-kodit Civil i cili rregullon martesat.

“Rregullorja e Punës së Kuvendit nuk përcakton afat për ri procedim në raste të tilla, megjithatë tashmë Projekt-kodi Civil është në fazën finale dhe posa të jetë finalizuar, do të ri-procedohet tutje për miratim. Ndryshimet përfshijnë nenin 1138 të Projekt-kodit Civil”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KALLXO.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se MD dhe Qeveria e Kosovës, kanë filluar adresimin e çështjeve të diskutuara në Kuvend pas pranimit të vendimit për mosmiratimin e Projekt-kodit.

“Janë mbajtur takime me ekspertë, duke përfshirë edhe përfaqësues të projektit të Bashkimit Evropian që e kanë mbështetë procesin e hartimit të Projekt-kodit Civil”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Projektkodi Civil nuk ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më 16 mars 2022.

Pika që deputetët kishin mospajtime gjatë seancës ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch” (HRW) i kishte dërguar letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti, ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe deputetëve të Kuvendit, duke iu bërë thirrje që t’i japin fund përjashtimit nga martesa të çifteve të së njëjtës gjini.

Çfarë thoshte neni 1138?

Sipas Projektkodit Civil, në kapitullin II, saktësisht neni 1138, thuhet se martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua.

“Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjërisht e rregulluar. Martesa lidhet me dhënien e pëlqimit të burrit dhe gruas dhe nënshkrimin e tyre para zyrtarit të gjendjes civile”, thuhet në Projektkod.

Ndërkaq, për personat me sekse të njëjta thuhet se bashkësitë e regjistruara civile mes tyre janë të lejuara.

“Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura rregullohen me ligj të veçantë”, shpjegohet në Projektkod.

Deklarimet e kryeministrit dhe grupeve parlamentare për Kodin Civil

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe deputetët e Kuvendit kishin folur për Projektkodin Civil duke komentuar nenin 1,138 të këtij projektkodi që flet për bashkëjetesën mes personave të gjinisë së njëjtë.

Kryeministri Kurti kishte thënë ky nen ishte keqkuptuar dhe për të ka pasur keqinterpretime.

“Dua të theksoj që Kodi nuk rregullon martesat mes personave me seks të njëjtë, kjo dallon me bashkësinë e regjistruar civile ngase kjo e fundit mundëson vetëm bashkëjetesën dhe jo forma të funksionit familjar”, ka deklaruar Kurti.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri për Projektkodin Civil ka thënë se pas Kushtetutës së Kosovës, është dokumenti më i rëndësishëm që votohet në Kuvend.

Ai i kishtebërë thirrje kryeministrit që të shkoj në Kuvend sepse sipas Tahirit për këtë projektkod ka pasur reagime të bashkësisë fetare lidhur me bashkësinë civile të personave me gjini të njëjtë.

“Ne si grup parlamentar i bëjmë thirrje le të vjen sepse pikërisht për këtë projektkod i kemi pasë edhe reagimet e bashkësive fetare në raport me nenin 1,138, paragrafi 2 për bashkësinë civile të personave me gjini të njëjtë që janë të lejuara”, pati deklaruar Tahiri.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) dhe deputetët e grupit multietnik janë deklaruar kundër projekt Kodit Civil, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë kërkuar sqarime nga pozita lidhur me disa çështje të këtij projekt Kodi.

Kryetari i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se nga kjo parti në formën se si është Kodi Civil nuk do ta ketë mbështetjen.

“Sot në seancë kemi për trajtim me të vërtetë një projektligj të rëndësishëm. Atë të Kodit Civil i cili ndër tjera përbën 1630 nene dhe trajton tema të rëndësishme. Shiko sa deputetë të pushtetit i kemi në sallë, duhet me dit pse nuk janë këtu, a janë kundër Kodit Civil apo se keni ngrit çështje të cilat ata besojnë që nuk janë të drejta. Mendoj që është mirë qytetarit t’ia themi troç. Para tri jave jemi deklaruar kundër versionit të Kodit Civil. Ne mendojmë se në formën si është ky Kod Civil nuk e ka mbështetjen e AAK-së”, ka thënë ai.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se Kodi Civil përcakton të drejtën civile që nga lindja deri në vdekje dhe për LDK-në është dokumenti më i rëndësishëm pas kushtetutës së Kosovës.

“Ne e vlerësojmë përmbajtjen dhe sjelljen e këtij dokumenti. Por kemi interes të kuptojmë edhe qëndrimin e qartë të qeverisë për atë çështje që është diskutuar shumë në shoqëri. Duke u diskutuar vetëm për këtë çështje janë lanë anash shumë çështje tjera që rregullon kjo materie”, ka deklaruar Selmanaj

Selmanaj ka thënë se kërkojnë të dinë më qartë mendimin e Qeverisë lidhur më këtë pikë.

“Dua të kuptojë më qartë se cili është mendimi i qeverisë, nëse qëndrimi i qeverisë është ashtu sic është artikuluar me ligj që bashkësitë civile në Kosovë të njihen si kategori tash e tutje, a ka bërë punë qeveria e Kosovës të bëj punë të veçantë”, kishte thënë Selmanaj.

Deputeti Erxhan Galushi nga grupi multietnik, lidhur me bashkësinë civile të personave me gjini të njëjtë ishte shprehur se e jashtëzakonshmja nuk mund të jetë kurrë e zakonshme dhe se promovimi i të pa jashtëzakonshmes si diçka e zakonshme është fyerje ndaj shumicës së zakonshme.

“Si grup multietnik kurrë nuk mund të votojmë kundër vlerave familjare me të cilat jemi lindur”, ka thënë ai.

Prijësit fetarë kundër Kodit Civil

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ipeshkëvia e Kosovës, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës më anë të një deklarate të përbashkët patën kundërshtuar nismën e institucioneve të vendit për shqytimin e projektkodit civil të Kosovës qe ka të bëjë me rregullimin e martesës mes personave të gjinisë së njëjtë me një ligj tjetër të veçantë.

Bashkësitë fetare të Kosovës përmes një konference u përfaqësuan nga Naim Tërnava, myfti i Kosovës; Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës, Fehmi Cakolli, pastor i Kishës Protestante Ungjillore, Votim Demiri, kryetar i Bashkësisë Hebraike të Kosovës.

Në deklaratën e tyre thuhet se bashkësitë fetare kanë shprehur shqetësim për këtë nismë që ka marrë Qeveria e Kosovës.

Sipas tyre, me anë të këtij Projektligji dobësohen vlerat e familjes si dhe përkufizimi i martesës në Kosovë.

Tutje, në deklaratën e tyre potencohet se më këtë nismë cenohet fjala dhe vullneti i Zotit si dhe po preket fundamenti i përgjithshëm i shoqërisë.

Nuk kalon në Kuvend Projektkodi Civil