Ministria e Drejtësisë inicion ndryshimin e Ligjit për byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një konference për media, sot më 03.09.2024, ka deklaruar se Projekligji i Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së shpejti do të dërgohet për miratim në Qeveri dhe më pas edhe në Kuvend.
Sipas Haxhiut, pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 29.07.2024, Ministria e Drejtësisë ka nisur adresimin e gjetjeve të kësaj gjykate.
“Kjo është një fitore e qartë për shtetin e së drejtës dhe një mesazh i fuqishëm për të gjithë ata që kanë abuzuar me detyrën zyrtare, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, dhe për të gjithë ata që duke qenë zyrtar kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme”- ka thënë Haxhiu në konferencë.
Ministrja e Drejtësisë ka deklaruar se pas aktvendimit të Kushtetueses, nuk kanë draftuar ligj të ri për Byronë, vetëm se i kanë adresuar disa çështje të cilat sipas saj, janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Sipas Haxhiut, ndër të tjera, kundërthënëse me Kushtetuesen, ka qenë qartësia që ndërlidhet me periudhat kohore për verfikimin e pasurisë.
“Ndryshimet e saj në draftligj sigurojnë që periudhat e reja të verifikimit të pasurisë të lidhen vetëm me periudhën kur zyrtari publik ka qenë në funksion, duke lejuar përjashtimisht zgjatjen e verifikimit për 5 vite pas përfundimit të ushtrimit të funksionit publik” – ka deklaruar Haxhiu.
Dhe çështja tjetër, sipas saj ndërlidhet me komisionin mbikëqyrës dhe ndarjen e pushteteve.
“Ligji i ri apo versioni me ndryshime ka ristrukturuar komisionin mbikqyës duke përfshirë tre anëatarë të Kuvendit, drejtorin e Agjencisë për parandalimin e korrupsionit dhe drejtorin e Njësisë së inteligjencës financiare”- ka thënë Haxhiu.
Ajo është shprehur se ky ndryshim siguron që veprimet e Byrosë të jenë të drejtëpërdrejta dhe transparente.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, më 09.02.2023.
Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, më 21.02.2023 e pati dërguar Ligjin për Byronë Shtetërore për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme në Gjykatën Kushtetuese, për vlerësim të kushtetueshmërisë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 26 qershor 2024 e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.