Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Drejtësisë dërgon komente në Kushtetuese rreth Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë

Pasi opozita e kishte dërguar Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Gjykatë Kushtetuese, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu njoftoi se ka dorëzuar në Kushtetuese komentet lidhur me Ligjin.

Ministrja Haxhiu tha se përpjekjet e opozitës për ta ndalur konceptin e konfiskimit civil në Kosovë po vazhdojnë.

“Sot, dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese komentet lidhur me pretendimet e sërishme të opozitës kundër Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.” – shkroi Haxhiu në Facebook, më 14.01.2025.

Meqë është hera e dytë që Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përfundon në Gjykatë Kushtetuese, Haxhiu tha se shpreson që Kushtetuesja të tregohet më e shpejtë në nxjerrjen e Aktgjykimit.

“Duke qenë që për herë të dytë radhazi ky Ligj po kontestohet nga opozita në Gjykatën Kushtetuese dhe kur tashmë kemi adresuar secilën kërkesë të Gjykatës në raport me të njëjtin, urojmë që Gjykatës nuk do t’i duhen sërish 16 muaj për të nxjerrë Aktgjykim.” – shtoi ministrja Haxhiu.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, më 13.12.2024, kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese 16 Ligje të miratuara në seancat e mbajtura më 05.12.2024 – duke i kontestuar ato për shkelje procedurale dhe njërën prej tyre edhe për shkelje të përmbajtjes.

PDK dërgon në Kushtetuese 16 ligje të miratuara në seancën e 5 dhjetorit

Tahiri kishte njoftuar se nga 16 Ligjet e kontestuara, 15 Ligje ishin kontestuar për shkelje procedurale, ndërsa Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është kontestuar si në procedurë, ashtu edhe në përmbajtje.

Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 26.06.2024, kishte marrë vendim për të shpallur të pavlefshëm Ligjin për Konfisikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme – duke gjetur shkelje kushtetuese në disa Pika të këtij Ligji. Më 21.02.2023, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kishte dërguar këtë Ligj në Kushtetuese për herë të parë, për vlerësim të kushtetutshmërisë.

Kushtetuesja rrëzoi Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme