Një fermer në fshatin Mamushë. 12 maj, 2020.- REL

Ministria e Bujqësisë vonoi pagesat ndaj fermerëve, obligimet kalojnë 8 milionë euro

Raporti i Auditorit për dikasterin qeveritar të bujqësisë në Kosovë, bën të ditur se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, vitin 2019 e përmbylli me 8,232,624 euro obligime, ku 98 për qind e këtyre mjeteve janë obligime ndaj fermerëve të cilat janë bartur për tu paguar në vitin 2020.

Arsyeja e mos shlyerjes së këtyre obligimeve kanë qenë mos kompletimi i dokumentacionit si dhe pranimi i faturave jashtë kohës së paraparë.

Auditori gjen se Ministria kishte tejkaluar afatin e pagesave në 35 raste

“Nga 100 mostrat e ekzaminuara, në 35 raste në vlerë totale 1,653,384€, kemi vërejtur se pagesat kishin tejkaluar afatet e përcaktuara për pagesë. Vonesat në rastet e ekzaminuara ishin deri në gjashtë muaj. Sipas shpjegimeve të menaxhmentit të ministrisë, kjo ishte si rezultat i mos alokimeve të duhura të buxhetit për shpenzim nga ana e ministrisë së financave.”, thuhet në të gjeturën e raporti

Sipas auditorit, afatet kohore për kryerjen e pagesave të granteve përcaktohen me udhëzuesit që i nxjerr ministria për zbatimin e programeve vjetore të aprovuara. Në bazë të këtyre udhëzuesve, Auditori tregon se pagesat duhet të bëhen 20 ditë pas marrjes së vendimit apo 40 ditë nga data e aplikimit për pagesë, përveç nëse tejkalimi i afatit bëhet për ndonjë arsye objektive.

Raporti sheh si rrezik se praktikat e tilla të ministrisë shkaktojnë probleme serioze për fermerët apo përfituesit e këtyre fondeve, për shkak se të njëjtit mund të fillojnë aktivitetet dhe të hyjnë në obligime duke u bazuar në pagesat apo kompensimet që do t’i bëj ministria.

Ministrit iu rekomandua se duhet të siguroj se asnjë subvencion dhe grant nuk ndahet pa u siguruar fondet

“ Ministri duhet të siguroj se asnjë ndarje e subvencioneve dhe granteve nga ana e komisioneve përkatëse nuk do të bëhet para se fondet të jenë të sigurta dhe të gatshme për pagesë në përputhje me afatet kohore të përcaktuara me rregullore. Problemet me alokimin e fondeve duhet të zgjidhen në bashkëpunim me Ministrinë e Financave. .”.

Përmes letër konfirmimit nga kjo ministri drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditmit konfirmohet se e kanë pranuar raportin e auditimit të Pasqyrave Financiare Vjetore të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2019, pajtohen me të gjeturat duke mos i komentuar ato.