Ministria e Bujqësisë: Vetëvendosje ushtroi kallëzim penal për poena politike

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka reaguar pas kallëzimit penal të Lëvizjes Vetëvendosje për keqpërdorimet me subvencione bujqësore në këtë ministri.

Në komunikatën e lëshuar për media, kjo ministri thotë se i gjithë procesi është transparent dhe bëhet duke u respektuar rregullat e aplikimit.

“I gjithë procesi për mbështetjen e fermerëve në kuadër të këtyre programeve, që nga shpallja e thirrjeve dhe vlerësimi i të gjitha aplikacioneve për grante dhe subvencione bëhet bazuar në dokumentacionin, procedurat dhe kriteret e parapara me program, të cilat çdo vit publikohen në faqen e Ministrisë së Bujqësisë dhe në atë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB). Po ashtu, AZHB-ja e bënë edhe informimin e fermerëve përmes mesazheve dhe vendimeve me email, si dhe përmes ueb-faqes së AZHB-së për rezultatet lidhur me procesin”, thuhet në komunikatë.

Tutje ministria ka bërë të ditur që ka rënë numri i ankesave të fermerëve për parregullsi në procesin e ndarjes së subvencioneve bujqësore.

“MBPZHR-ja njofton se ka rënë edhe numri i ankesave të fermerëve të adresuara në MBPZHR dhe AZHB lidhur me procesin e përfitimit të subvencioneve dhe granteve investive”, thuhet tutje në komunikatë.

Ministria e Bujqësisë në komunikatën e saj ka theksuar se të gjitha këto veprime po bëhen për të njollosur punën e kësaj ministrie.

“Prandaj, këto procese dhe mbarëvajtjen e ndarjes së mbështetjes financiare për fermerët nuk mund ta njollos asnjë tendencë politike, përkundër përpjekjeve paraelektorale që subjektet politike mund t’i kenë”, thuhet tutje aty.

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Prokurori Speciale një kallëzim penal ndaj tre ish-ministrave të Bujqësisë, Nenad Rikallo, Memli Krasniqi dhe Blerand Stavileci, ndaj sekretarit të Ministrisë së Bujqësisë, Halim Kapllani, drejtorin e Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë, Ekrem Gjokaj si dhe ish-drejtorin e kësaj agjencie, Elhami Hajdari.

Këtë kallëzim e dorëzoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, ndërsa siç bëhet e ditur në komunikatë, ky kallëzim është bërë për shkak të keqpërdorimeve në subvencione si dhe keqpërdorimeve të tjera të parasë publike nga këta ministra.

“Kallëzimi i sotshëm i mbulon dy çështje, grantet në shumën 4 milionë euro të dhëna për 4 konzurciome dhe një kompani secila prej tyre e lidhur drejtpërdrejtë me drejtues politikë dhe ish ministra si dhe keqpërdorimet prej vitit 2014 në këtë fushë. Vitin e fundit në Ministrinë e Bujqësisë u sajua një masë e veçantë, në shpërputhje të plotë me vet kriteret e kësaj ministrie. Mandej edhe këto kritere ilegjitime të bëra publike për këtë masë fiktive, nuk u morën parasysh”, thuhet në njoftimin e VV-së.