Foto-ilustrim

Ministria e Bujqësisë ua shtynë fermerëve afatin për implementim të projekteve të granteve

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka nxjerrë sot vendim për shtyrjen e përkohshme të afateve për implementimin e projekteve përfituese të granteve të vitit 2019.

Sipas një komunikate për media, ky vendim ka ardhur si rezultat i rrethanave të krijuara nga coronavirusi, dhe që si rrjedhojë asnjë fermer nuk do të ndëshkohet për vonesa në implementimin e projekteve të granteve.

Këto janë pikat e vendimit:

  1. Shtyhen përkohësisht afatet procedurale për zbatimin e Projekteve të Zhvillimit Rural të përcaktuara sipas Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) – Nr.16/2019 për Masat dhe Kriteret e Përkrahjes për Zhvillim Rural për vitin 2019, të datës 21.05.2019.
  2. Shtyrja e përkohshme e këtyre afateve nga paragrafi 1 i këtij vendimi bëhet me qëllim të mbrojtjes të të drejtave të fermerëve, pas marrjes së masave për parandalim të infeksionit Corona Virus COVID-19 nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
  3. Shtyrja nga pika 1 dhe 2 të këtij vendimi vlen nga dita e nxjerrjes së Vendimit nr.01/07, datë 11.03.2020 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, deri në marrjen e një vendimi tjetër.
  4. Obligohen të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.
  5. Zyrtarët nga pika 4 e këtij vendimi, të cilët nuk e zbatojnë këtë vendim do të ndëshkohen në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Qeveria e Kosovës ka shpallur dje gjendje emergjente të shëndetit publik.

Në më pak se katër ditë numri i të prekurve nga virusi ka arritur në 13 zonat e prekura janë Vitia me 7 pacientë Malisheva me 4 pacientë, Podujeva me 1 pacient dhe Klina me 1 pacient.