Ministria e Bujqësisë tregon datën se kur hapet aplikimi për subvencione për bujqit

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar përmes një komunikate se më 26 prill të këtij viti do të hapë periudhën e aplikimit për pagesa direkte/subvencione për kulturat dhe aktivitetet bujqësore, të cilat mbështeten përmes Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022.

Sipas ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kuadër të këtij Programi kanë adresuar rritje substanciale të mbështetjes financiare për fermerë me vlerë prej rreth 50 milionë euro.

“Përmes Programit për Pagesa Direkte për vitin 2022 kemi planifikuar një buxhet prej 5 milionë euro për subvencionimin e naftës, përkthyer në 0.36 cent për litër dhe 8 milionë euro për inputet bujqësore për plehërim pranveror për 4 kultura bujqësore, grurë të përkthyer në 150 euro për hektarë, misër, patate dhe fasule përkthyer në 100 euro për hektarë”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu sipas ministrisë, në kuadër të Pagesave direkte për vitin 2022 është rritur përkrahja për 216% për grurin, 119% për misrin,  118% për pataten dhe fasulen,  85% për perimet për perimet në fushë të hapur, 100% për perimet në sera,  33% për bletët, 26% për kulturat pemëtarë,  25% për mjedrën,  21.6% për farën e grurit, 16% për qumështin sipas cilësisë, si dhe rritje të konsiderueshme për shumicën e sektorëve dhe nën-sektorëve të paraparë me Programin e Pagesave Direkte 2022.