Ministria e Bujqësisë: Sivjet 33 % më shumë sipërfaqe të mbjella me drithëra, nuk duhet të rriten çmimet

Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se në Kosovë sivjet sipërfaqja e mbjellë me drithëra është për 33,04 për qind në krahasim me vitin paraprak.

Kjo rritje e sipërfaqes së mbjellë me drithëra sipas Ministrisë do të duhej të reflektonte në mosrritjen e çmimeve në treg, duke cenuar xhepin e qytetarëve.

Ky njoftim nga Ministria vjen pas lajmit se furrtarët e Gjilanit kanë rritur çmimin e bukës dhe byrekut.

Shtrenjtimi i këtyre produkteve ka shtyrë inspektorët e tregut që të inspektojnë furrat e bukës në Gjilan për të kuptuar arsyen e shtrenjtimit të bukës.

Ministria ka njoftuar se bujqit kosovarë këtë vit do të përkrahen përmes Programit të Pagesave Direkte apo subvencioneve në vlerë 52 milionë euro.

Përmes këtij Programi, Ministria njofton se ka prioritizuar këtë vit grurin, misrin, pataten dhe fasulen për të krijuar kështu mundësi stabiliteti sa i përket sigurisë ushqimore.

Sipërfaqja e mbjellë me grurë në Kosovë është 51,282.96 hektarë, me një rritje prej 15.55 % në raport me vitin e kaluar.

Gruri sivjet do të subvencionohet me 474 € për hektar, duke përfshirë këtu subvencionimin e naftës me 54 € euro për hektar dhe 150 euro për hektar për plehërimin pranveror.

“Njëherit, gruri do të subvencionohet edhe në bazë të rendimentit përmes dorëzimit të sasisë së tij në mulli ose sillose me 0.03 € për kilogram”, thekson Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Bazuar në çmimin aktual të derivateve të naftës, pjesëve rezervë të autokombajnave, si dhe gjendjes së zhvillimit të grunajave, MBPZHR-ja, përfaqësuesit e DKB-ve dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve sugjerojnë/propozojnë se çmimi real i korrje-shirjeve për vitin 2022 do të ishte 130 euro/ha (nënkuptohet se çmimi i korrje-shirjeve caktohet me marrëveshjen në mes të fermerëve dhe autokombajnerëve).