Grafika: Kallxo.com

Ministria e Bujqësisë "rrush" me zëvendësministra

Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila drejtohet nga Besian Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duhet t’u bëjë vend edhe pesë burrave tjerë në zyrat e zëvendës ministrave.

Partnerët e koalicionit kanë dërguar tashmë emrat e përfaqësuesve të tyre , përkundër premtimit të LDK-së për reduktimin e numrit të zëvendës ministrave.

Zëvendës ministra të kësaj ministrie sipas dokumetit zyrtar të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës janë Enver Hoti nga Nisma Socialdemokrate, Erxhan Galushi nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Bajram Kastrati nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Bahrim Shabani nga Koalicioni Vakat si dhe Nehat Ramadani nga LDK-ja.

Përkundër numrit të madh të zëvendësministrave, në këtë listë nuk kishte vend për gra. Në Ministrinë e Bujqësisë nuk është emëruar asnjë grua në postin e zëvendësministres.

Në një intervistë për KALLXO.com para zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar, vet Besian Mustafa kishte thënë se ministritë në qeverinë e Kosovës nuk duhet të kenë më shumë se dy zëvendësministra.

KALLXO.com, ka shkruar edhe për emërimet e ministrive të tjera siç është “Oda” e burrave në Ministrinë e Arban Abrashit.

Zëvëndës të Abrashit në dikasterin e Infrastrukturës do të jenë 4 burra edhe pse vetë Arban Abrashi thoshte se më shumë se dy zëvendësministra nuk duhet t’i ketë një ministri, por, tani që është pjesë e qeverisë, ai nuk e ka shtyrë para këtë kriter të qeverisjes.

“Oda” e burrave në Ministrinë e Arban Abrashit