Ministria e Bujqësisë pezullon nga puna 5 zyrtarët të dyshuar në rastin "Subvencionet"

Me kërkesën e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci është marrë vendim për pezullimin e përkohshëm nga marrëdhënia e punës në shërbimin civil të Kosovës për pesë zyrtarë të Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë.

Sipas njoftimit të kësaj Ministrie, zyrtarët e pezulluar ishin arrestuar gjatë muajit shkurt nën dyshimin për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

“Ky vendim është marrë si domosdoshmëri për zbatimin e bazës ligjore në fuqi, si dhe njoftimit të marrë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion të datës 03 mars 2021, për masat e ndërmarra ndaj këtyre zyrtarëve, të cilët dyshohen për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.

Vendimi për pezullimin nga marrëdhënia e punës do të jetë në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet përgjegjëse.

Më shumë se 15 persona, disa nga ta zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, janë arrestuar në muajin shkurt nën dyshimin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet e disa bujq, u arrestuan nën dyshimin se kanë dhënë ryshfet për të mundësuar marrjen e disa subvencioneve nga ana e Ministrisë.

E 10 të dyshuarve për marrje e dhënie ryshfeti dhe manipulime me subvencione, Gjykata ua ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj, kurse dy të tjerë do të vazhdojnë qëndrimin në arrest shtëpiak.