Objekti privat ku është vendosur MBPZHR

Ministria e Bujqësisë pas protestës së fermerëve: Gjithçka e bazuar në ligjet në fuqi

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) përmes një komunikate për media ka reaguar për protestën e fermerëve që kundërshtuan kriteret e subvencionimit të grurit.

Sipas MBPZhR gjithçka është bërë duke u bazuar në ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi.

Ministria potencoi se respekton të drejtën për protestë të fermerëve, si dhe do trajtojë me kujdes kërkesat që i kanë adresuar ndaj programeve mbështetëse.

“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural respekton të drejtën për protestë të secilit fermer dhe përfaqësuesve të tyre, dhe po ashtu, i pranon e trajton me kujdes kërkesat që i adresojnë ata ndaj programeve mbështetëse të Ministrisë”, thuhet në komunikatë.

“Duke pasur parasysh që kërkesat e fermerëve dhe përfaqësuesve të tyre adresohen çdo vit gjatë procedurave të hartimit të programeve mbështetëse, MBPZhR-ja bën shqyrtimin dhe më pastaj edhe inkorporimin e tyre në programet dhe politikat e saj, konform ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi”, thuhet në komunikatë.

Nga Ministria gjithashtu thuhet se, gjatë hartimit të programit të subvencioneve për vitin 2021, janë përfshirë në grupet punuese edhe fermerë të nën-sektorit të grurit dhe nën-sektoreve tjera.

MPBZHR ka theksuar se kriteret dhe të gjitha procedurat e këtij programi janë bazuar në ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi që paraprakisht kanë kaluar të proceset konsultative institucionale dhe me publikun.

“Duhet theksuar se MBPZhR-ja, Programin e Pagesave Direkte -Subvencioneve për vitin 2021 e ka hartuar bazuar në Ligjin për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural dhe Udhëzimin Administrativ për Pagesa Direkte për vitin 2021, i cili paraprakisht ka kaluar të gjitha proceset konsultative institucionale dhe me publikun. Pra, kriteret dhe të gjitha procedurat tjera në kuadër të këtij programi janë bazuar në ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi,” u tha nga Ministria.

Disa fermer me shumë traktorë sot janë mbledhur te Ministria e Bujqësisë në shenjë proteste ndaj kritereve të reja për subvencionim e grurit.

Ata kërkuan që edhe këtë vit të aplikohet me kritere të vjetra pasi nuk kanë qenë në dijeni për ndryshime dhe si pasojë, sipas tyre me kriteret e reja mbi 80 për qind e fermerëve do mbesin pa përfituar mbështetje.

Fermerët kërkojnë kriteret e vjetra për subvencionim të grurit