Ministria e Bujqësisë: Në Kosovë nuk do të mungojë furnizimi me miell e grurë

Në Kosovë ka dhe do të ketë furnizim të mjaftueshëm me miell dhe grurë.

Kështu ka njoftuar ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, i cili është takuar sot me përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve dhe përfaqësuesit e Rrjetit të Shitësve me Pakicë për të diskutuar furnizimin me grurë dhe miell në vendin tonë gjatë gjendjes emergjente të shkaktuar nga COVID-19.

“Do të vazhdojmë të koordinohemi në mënyrë që Qeveria, bujqit, mullisët dhe rrjetet e shitjes me pakicë të krijojnë kushtet më të volitshme të mundshme, në këto rrethana, për të arritur tri objektiva njëkohësisht: sigurimi i sasive të mjaftueshme dhe çmimeve të përballueshme të miellit për qytetarët, mbrojtja dhe përkrahja e bujqve dhe përkrahja e prodhuesve vendor”, tha Mustafa.

Ndërsa, Rrjeti i Shitësve me Pakicë dhe Shoqata e Mullisëve e siguruan ministrin Mustafa se, momentalisht, në Kosovë ka furnizim të mjaftueshëm me grurë dhe miell për nevojat e konsumit të rregullt.

MBPZhR është në kontakt dhe koordinim të vazhdueshëm me MEPTINIS, MFT dhe institucionet tjera publike dhe private për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me lëndë të parë dhe me ushqim për qytetarët, blegtorinë dhe shpezëtarinë në vendin tonë.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka bërë të ditur, dje, se është duke e monitoruar me kujdes situatën e krijuar pas njoftimeve nga mediat se Shoqata e Mullisëve të Kosovës ka paralajmëruar ndaljen e prodhimit të miellit si protestë kundër një vendimi të Ministrisë së Ekonomisë, për masat tarifore ndaj importit të miellit.

Shoqata e Mullisëve të Kosovës kishte paralajmëruar se nga sot do të ndalte prodhimin e miellit.