Ministria e Bujqësisë dha tender mbi 176 mijë euro për analizat e tokës të cilat mund t’i kryente vetë

Në raportin e Auditorit për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, thuhet se kjo ministri kishte angazhuar kompani private për t’i kryer analizat e tokës, duke kursyer kështu Institutin Bujqësorë të Kosovës (IBK), i cili do të mund t’i kryente këto analiza.

Auditori në raport thotë se Ligji për prokurim publik Nr. 04/L-042 me plotësim ndryshime, neni 9 përcaktimi i nevojave që duhet përmbushur, pika 1 specifikon që Para se të fillohet me ushtrimin e çfarëdo aktiviteti të prokurimit, ZKA i autoritetit kontraktues duhet të sigurojë që të bëhet një vlerësim formal i nevojave dhe që rezultatet e këtij vlerësimi të regjistrohen formalisht me shkrim dhe të ruhen në dokumentacionin e autoritetit kontraktues.

Po ashtu, Auditori tregon se pika 4 e këtij neni kërkon që nëse autoriteti kontraktues është autoritet publik, autoriteti i tillë publik duhet të marrë masa të arsyeshme për t’u siguruar se lëndët që i përmbushin këto nevoja nuk janë në dispozicion nga ndonjë autoritet tjetër publik.

Ministria kishte kontraktuar kompani private për shërbime të analizave të tokës edhe pse këto analiza mund t’i bënte vetë.

“Megjithatë, kontrata “Përkrahja e Fermerëve për analiza të tokës, trajnime, këshillime dhe rekomandime për rezultatin e analizave të tokës” ishte nënshkruar me datë 22.06.2018 në vlerë 176,199€ me një operator ekonomik, përkundër faktit që analizat e tilla mund të realizohen nga Instituti Bujqësor i Kosovës që operon në kuadër të ministrisë. Kjo kishte ndodhur për shkak të vendimit të gabuar të menaxhmentit të MBPZHR-së për kontraktimin e kryerjes së këtyre shërbimeve”, thuhet në të gjeturën e raportit.

Sipas raportit, mos shfrytëzimi i resurseve njerëzore dhe teknologjike të cilat posedon Instituti Bujqësor dhe lidhja e kontratave me operator ekonomik privat ndikon në shpenzimin e pa arsyeshëm të fondeve buxhetore.

Ministrit iu rekomandua ta shqyrtoj nevojën për prokurim dhe të mos kontraktohen shërbime nga jashtë për ato të cilat mund t’i kryen vetë Ministria

“Ministri duhet të shqyrtoj arsyet dhe nevojën për prokurimin e shërbimeve të cilat ka mund t’i kryej vet IBK-ja, si dhe të siguroj se para inicimit të çdo aktiviteti të prokurimit, merret parasysh neni 9.4 i LPP-së në mënyrë që të mos kontraktohen jashtë shërbimet të cilat mund t’i kryejnë organet/institutet që operojnë brenda vet ministrisë.”.

Përmes letër konfirmimit nga kjo ministri drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditmit konfirmohet se e kanë pranuar raportin e auditimit të Pasqyrave Financiare Vjetore të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2019, pajtohen me të gjeturat duke mos i komentuar ato.