Ministria e Arsimit u bën thirrje shkollave që të mbajnë mësim

Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka bërë thirrje institucioneve arsimore që të mbajnë mësim dhe të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për realizimin e plan-programit.

“Vendimi që dita e hënë (30 nëntor 2020) të jetë ditë pune edhe në institucionet arsimore, është vendim i Qeverisë së Kosovës në shenjë solidarizimi me të gjithë ata që po punojnë pa pushim në përballje me pandeminë. Bazuar në Ligjin për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, MASh ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ për Kalendarin Shkollor 2020/2021, i cili nuk është ndryshuar. Prandaj, MASh fton të gjitha institucionet arsimore që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për të realizuar planprogramin mësimor”, thuhet në një komunikatë për media.

MASh, po ashtu, u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve arsimore që të kujdesen për zbatimin e të gjitha rekomandimeve të IKShPK-së dhe MASh-së nga të gjithë akterët pjesëmarrës në shkollë.

Më herët, kryetari i SBAShK, Rrahman Jasharaj ka bërë të ditur se 90 për qind e shkollave të Kosovës i janë bindur thirrjeve të tyre që dita e hënë të jetë ditë pushimi, për nder të festës së 28-nëntorit.

Qeveria e Kosovës, më 27 nëntor kishte bërë të ditur se dita e hënë, 30 nëntor 2020, do të jetë ditë e rregullt e punës.

Kurse, Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka kërkuar që dita e hënë të jetë ditë pushimi për të gjithë punonjësit e këtij sektori, duke u bazuar në kalendarin e vitit shkollor 2020/21, që thuhet se dita e hënë e 30 nëntorit është ditë pushimi për nder të festës së 28-nëntorit.

SBAShK: Mbi 90% e shkollave nuk janë duke mbajtur mësim

.