Ilustrim

Ministria e Arsimit tregon se kur mund të kalojnë shkollat në mësim online

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se pavarësisht masave që janë marrë nga Qeveria e Kosovës për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, mësimi në shkolla do të vazhdojë fizikisht.

Kjo ministri ka treguar edhe se kur mund të kalojnë shkollat në mësim online.

“Nëse brenda 3 ditësh konfirmohen 2 ose më shumë raste të infektimit të nxënësve me virusin COVID-19 brenda një klase dhe nëse më shumë se 5% e nxënësve të shkollës janë aktualisht të infektuar me virusin COVID-19”, njofton ministria.

Po ashtu në njoftim thuhet se përveç nxënësve, në rast se infektohen edhe personeli i shkollës, atëherë kalohet në mësim online.

MAShTI njofton se nëse kalohet i gjithë mësimi online atëherë është opsion edhe RTK4, ku transmetohen video-mësimet.

“Në rast nevoje për organizimin e mësimit online mund të shërbejnë video-mësimet që emetohen në RTK4 çdo ditë pune prej 9-16 h sipas orarit të hartuar nga MAShTI”, thuhet më tutje.

Ndryshe sa i përket institucioneve të arsimit të lartë, mësimi do të vazhdojë me prezencë fizike dhe grupet me mbi 50 persona të mos përfshijnë më shumë se 50% të hapësirës.

MAShTI fton të vaksinohen gjithë nxënësit e moshës 12-vjeçare e më lart, studentët, mësimdhënësit dhe familjarët e tyre.