Ilustrim

Ministria e Arsimit shpall konkursin për bursat e studentëve në universitetet publike

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se ka shpallur konkursin për ndarjen e bursave, duke marrë parasyshë rrethanat e shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami ka njoftuar përmes një postimi për kushtet dhe kriteret që studentët e nivelit bachelor dhe master në Universitete Publike duhet të plotësojnë për të përfituar bursë.

“Për fitimin e bursës së MAShTI-t, kandidatët duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, të kenë përfunduar vitin e parë në studimet BA dhe vitin e parë për studimet MA, të kenë të përfunduar vitet akademike paraprake, pa përsëritje të vitit, të drejtë aplikimi kanë studentët e të gjitha fushave të studimit, të drejtë aplikimi kanë studentët që kanë notën mesatare të studimeve së paku 9.0 të arritur në afatin e provimeve të shtatorit të vitit 2019”, thuhet në njoftim.

Në njoftim është bërë e ditur edhe mënyra e aplikimit për të përfituar bursë.

“Duke marrë parasysh rrethanat e shkaktuara nga pandemia COVID-19, MAShTI vendos që aplikimi për këtë vit të bëhet përmes Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Studentëve të Universiteteve Publike. Studentët duhet të aplikojnë në institucionet ku ata studiojnë. Universitetet Publike krijojnë kushtet e nevojshme për të mundësuar aplikimin e studentëve në këto platforma sipas kushteve të këtij konkursi dhe lansojnë konkursin brenda platformave të tyre”, thuhet në njoftim.

Ministria ka bërë të ditur se aplikimi eletronik do të jetë i hapur nga data 8 qershor deri më datë 29 qershor.

“Lista përfundimtare e studentëve të cilët përmbushin kushtet dhe kriteret për të qenë përfitues të MAShTI-t dorëzohen nga Universitetet Publike në MAShTI, ndërsa lista e studentëve përfitues do të bëhet publike në uebfaqen e MAShTI-t”, thuhet në njoftim.

Ministria ka bërë të ditur se kandidatët të cilët kanë aplikuar për përfitim të bursës, kanë të drejtë ankese në afat prej 7 (shtatë) ditësh, pas shpalljes së rezultateve.

“Ankesat dorëzohen në arkivin e MAShTI-t, kati përdhesë, zyra nr. 4 dhe shqyrtohen nga komisioni për ankesa dhe parashtresa i MAShTI-t”, thuhet në njoftim.