
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com
Ministria e Arsimit publikoi të dhëna personale, AIP e obligoi t`i largojë
Agjencioni për Informim dhe Privatësi ka konstatuar se Ministria e Arsimit ka shkelur Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale në momentin kur publikoi listat e përfituesve të bursave për studime në Greqi.
Në vendimin e AIP-së për MAShT-in konstatohet se ligji ishte shkelur dhe ministria është detyruar të redaktoj të dhënat.
Më datë 04.12.2024, AIP kishte pranuar një email nga një qytetar, lidhur me rastin ku ai kishte shfaqur shqetësimin e tij duke thënë se në ueb faqen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), është publikuar një dokument i cili ka përmbajtur një listë me përfitues të bursave për periudhën 2017/2018 të universitetit “The University of Sheffield International Faculty CITY College”, e ku në këtë dokument ishin të dhënat personale të bursistëve, shuma e bursës, dega dhe niveli i studimeve që kishin përfituar kandidatët.
Në ankesën drejtuar kësaj agjencie, ankuesi kishte bashkangjitur edhe linqet ku ishin publikuar këto të dhëna.
Pas pranimit të këtij njoftimi, Agjencia përmes zyrtarit të AIP-së, kishte filluar procedurën për të verifikuar pretendimet e palës ankuese, me ç ‘rast fillimisht, zyrtari i AIP-së kishte kontrolluar uebfaqen e MAShTI-t dhe kishte konstatuar se e njëjta kishte të publikuar disa lista të përfituesve të bursave nga “The University of Sheffield Internationl Faculty CITY College and The Ministry of Education, Science & Technology of Kosova”, të cilat lista përmbanin emrin, mbiemrin e kandidatëve, shumën e bursës, nivelin e studimeve dhe degën e studimeve.
Pas verifikimit, zyrtari i AIP-së më datë 06.12.2024, i ishte drejtuar me pyetje përmes email-it MAShTI-t, konkretisht zyrtarit për mbrojtjen e të dhënave, me pyetjet se cila ka qenë baza ligjore lidhur me publikimin e të dhënave personale në uebfaqen e MAShTI-t si dhe nëse e njëjta posedon bazë ligjore lidhur me afatin e ruajtjes së listave (dokumenteve) të publikuara në uebfaqe.
Agjencia lidhur me këtë rast kishte konstatuar se MAShTI me rastin e publikimit në uebfaqe të këtyre listave të përfituesve të bursave me të dhënat personale për vitin 2017/2018 ka përpunuar të dhëna personale në kundërshtim me nenet për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Andaj, lidhur me këtë rast AIP kishte urdhëruar Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që të largoj nga publikimi, në faqen zyrtare, të gjitha listat e përfituesve të bursave me të dhënat personale për vitin 2017/2018.
Tutje, sipas vendimit të AIP-së Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është obliguar, që përpunimin e të dhënave personale, ta bëjë në harmoni me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Gjithnjë sipas vendimit të AIP-së Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShT) është obliguar që në afat prej (15) ditësh nga pranimi i këtij vendimi, të ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për zbatim të këtij vendimi dhe ta njoftojë Agjencinë për Informim dhe Privatësi.
Institucionet e Kosovës në disa raste janë hasur duke shkelur ligjin për të dhënat personale. Shkeljet e zakonshme kanë ndodhur në publikimin e listave të përfituesve të granteve subvencioneve apo edhe në listat e të punësuarve.