Ministria e Arsimit pritet ta përurojë çerdhen në Milloshevë, kryetari i Obiliqit thotë "inventari (i çerdhes) pritet me ardhë"
Ministria e Arsimit ka njoftuar se të premten, më 10.01.2025, do të bëhet përurimi i çerdhes në fshatin Milloshevë të komunës së Obiliqit.
Sipas njoftimit, përurimi i çerdhes pritet të ndodhë rreth orës 13:00, dhe në përurim pritet të marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.
Përmes telefonit, Gashi ka thënë për KALLXO.com se sipas informacioneve që kanë ndërtimi i çerdhes është kryer por nuk ka inventar.
Ani pse nuk ka inventar, përurimin e çerdhes në Milloshevë e ka kërkuar vetë Ministria e Arsimit, sipas Gashit.
“Po, kërkesë e Ministrisë, e kemi përmes email-ave që kanë adresu edhe normal që na do të marrim pjesë, sepse është objekt në pronën tonë që na e kemi dediku për qytetarët tanë” – tha Gashi më 09.01.2025.
“Inventari pritet me ardhë hala, po çerdhja është ndërtu. Stafin e (çerdhes) e kena përzgjedhë” – ka thënë Gashi.
Inventari i çerdhes në Milloshevë, sipas Gashit, është detyrë e Ministrisë së Arsimit.
Kur u pyet se përderisa nuk e ka inventarin, kur pritet të hapet çerdhja në Milloshevë, Gashi tha se kurdo që vjen inventari janë të gatshëm ta hapin.
Gashi ka treguar se çerdhja është ndërtuar nga bashkëpunimi i Ministrisë së Arsimit dhe Komunës së Obiliqit. Sipas tij, nga viti 2022 kanë kërkuar në Ministri që të ndërtohet kjo çerdhe.
“Më 2022 nuk janë marrë parasysh, më 2023 është aprovu, si duket në pamundësi të kërkesave që ata i kanë pasë të shumta për ndërtim të çerdheve edhe ma në fund është aprovu kërkesa jonë, pas shumë insistimeve që ne i kemi adresuar, është e domosdoshme për komunitetin në atë zonë” – tha Gashi.
KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Arsimit për këtë përurim të çerdhes në Milloshevë që sipas të parit të Obiliqit nuk ka inventar, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.
Në anën tjetër, KALLXO.com raportoi më 08.01.2025 se si ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, më 08.01.2025 e anuloi përurimin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Halil Alidema” në fshatin Pozharan të Vitisë dhe atë të çerdhes në fshatin Dobresh.
Përurimi i shkollës dhe çerdhes u anulua pasi që të dyja fillimisht nuk kishin përfunduar: as pranimi teknik, madje kishte ende punë për t’u kryer brenda dhe jashtë objekteve arsimore.
Çerdhja në fshatin Dobresh ishte e mbyllur dhe ekipi i KALLXO.com nuk pati qasje në të, por që nga jashtë vërehej se ende nuk është funksionalizuar në tërësi objekti, e madje as nuk është rekrutuar stafi.
Në Shkollën “Halil Alidema” inventari shkollor është parë në klasat e shkollës, hapësira brenda ka përfunduar, ende nuk është bërë pranimi teknik, ndërsa ekipi i KALLXO.com në terren ka parë edhe punëtorët e kompanisë së kontraktuar derisa rregullonin shkallët emergjente të shkollës.
KALLXO.com ka intervistuar kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, në lidhje me këtë çështje.
Ai i tha ekipit se kishte pranuar një njoftim me email në lidhje me përurimin e objekteve, ndërsa kishte refuzuar të merrte pjesë në përurim për shkak të mospërfundimit të procedurave për hapjen e këtyre institucioneve shkollore.
“Unë e kam kuptuar pardje, më 06.01.2024. Me email na është dërguar pak para orës 16:00, edhe pse dje nuk është punu, ka qenë ditë feste. Me u përgatit përurimi i shkollës në Pozharan dhe çerdhes në Dobresh.” – tregoi kryetari Haliti.
Ai shtoi se asnjëri nga këto dy objekte nuk i kanë të përfunduara procedurat ligjore.
Në një përgjigje përmes email-it, MASHTI ka thënë se me Ligjin e ri të Prokurimit, pranim teknik nuk ka më nga ana e investitorit dhe këtë e bën Komuna.
“Investitori i kësaj Çerdheje (në këtë rast MASHTI) i dorëzon Komunës ose DKA-së së Komunës përkatëse certifikimin e përfundimit të punimeve, me ç’rast përfundojnë obligimet e investitorit. Pikërisht kjo ka ndodhur në Drobesh dhe ajo Çerdhe mund të inaugurohet nga dita e sotme” – thuhet në përgjigjet e MASHTI-t.
Ndërsa, sa i përket shkollës në Pozharan investitor ka qenë MPBAP dhe sipas MASHTI-t kanë pasur informacione që çdo gjë është gati.
“Në koordinim me Kryetarin e Komunës është vendosur që të anulohen inaugurimet deri në një njoftim të ardhshëm. Sa për sqarim, tash e 6 vjet nxënësit e kësaj Shkolle kanë mësuar me orar të shkurtuar, andaj është shumë e rëndësishme që ky objekt po përfundohet dhe nxënësit nuk do të mbajnë më orën 25 minuta – siç ka ndodhur tash e disa vite.” – përfundon përgjigjja e MASHTI-t.