FOTO: Atdhe Mulla

Ministria e Arsimit: Nesër fillon periudha e dytë e vitit shkollor 2021/2022

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se nesër, më 10 janar, fillon periudha e dytë e vitit shkollor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Sipas njoftimit, “task forca”-t në nivel komune do të vlerësojnë dhe do të marrin vendime se me cilin skenar do të zhvillohet procesi mësimor bazuar në situatën epidemiologjike me pandeminë në komunat e tyre, si dhe kushtet specifike në shkolla.

Ndërkaq, drejtoritë komunale të arsimit do të kujdesen për respektim të masave të përcaktuara nga IKSHPK, sikur dezinfektimi i hapësirave të shkollave.

Përveç mësimit me prani fizike në shkollë, do të jenë në dispozicion edhe mundësitë për organizimin e mësimit online nëse paraqitet nevoja.

Video-mësimet do të vazhdojnë të transmetohen në televizionin publik (kanali RTK 4), dhe ato mund të gjenden edhe në kanalin zyrtar të MAShTI. Në këtë LINK është orari i transmetimeve.

Po ashtu, MAShTI, në bashkëpunim me UNICEF, tashmë ka ofruar për të gjitha shkollat mundësinë e qasjes në platformën mësimore të bazuar në teknologjinë e Microsoft, ku, përveç sistemit për menaxhimin e mësimit në distancë janë publikuar edhe video-mësimet sipas programit mësimor të klasave 1-9. Megjithatë, shkollat janë të lira të shfrytëzojnë edhe platforma dhe aplikacione të tjera.

Ministria e Arsimit fton të gjithë akterët e përfshirë në shkollë që të respektojnë masat mbrojtëse të përcaktuara nga IKShPK, në mënyrë që ta ruhet shëndetit publik.