Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në përurimin e çerdhes në Milloshevë, 10.01.2025, Foto: KALLXO.com
Ministria e Arsimit ndryshon periudhën e furnizimit me inventar të çerdhes që e përuroi në Milloshevë
Ministria e Arsimit e përuroi çerdhen në fshatin Milloshevë të Obiliqit të premten, më 10.01.2025, ndonëse çerdhja nuk ishte e kompletuar me gjithë inventarin e nevojshëm.
Pas raportimit të KALLXO.com se çerdhja në Milloshevë sipas kryetarit të Obiliqit, Xhafer Gashi, është ndërtuar por nuk ka inventar, Ministria e Arsimit e arsyetoi mosfurnizimin e çerdhes me inventar.
Më shumë se dy orë para se të përurohej çerdhja në Milloshevë, Ministria e Arsimit tha se inventari do të kompletohet gjatë muajve në vazhdim.
Por, pas përurimit të çerdhes, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se kompletimi i çerdhes me inventar do të ndodhë në fillim të javës së ardhshme.
Ekipi i KALLXO.com e ka vizituar çerdhen në Milloshevë dhe ka parë se akoma pa hyrë në objekt qytetarët përballen me rrugën e pashtruar dhe me baltë, kurse brenda objektit nuk është i gjithë inventari.
Në përurimin e çerdhes përveç ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, e kryetarit të Obiliqit, mori pjesë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Halil Thaçi.
“Ministrja, Arbërie Nagavci me këtë rast ka thënë se, gurëthemeli i këtij objekti është vendosur para një viti, ndërsa tash kur punimet janë realizuar në kohë rekord, po vazhdon inventarizimi, i cili pritet që të përfundojë gjatë javës së ardhshme” – thuhet në njoftimin e MASHTI-t.
Sipas Ministrisë, çerdhja në Milloshevë ka kapacitet të akomodojë 80 fëmijë.
Në anën tjetër, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, e konfirmoi për KALLXO.com më 09.01.2025 se do të merrte pjesë në përurimin e çerdhes.
Sipas Gashit, Ministria e Arsimit ka kërkuar të bëhet përurimi i çerdhes të premten, më 10.01.2025, anipse nuk ka inventar.
“Inventari pritet me ardhë hala, po çerdhja është ndërtu. Stafin e (çerdhes) e kena përzgjedhë”– ka thënë Gashi më 09.01.2025.
Inventari i çerdhes në Milloshevë, sipas Gashit, është detyrë e Ministrisë së Arsimit.
Kur u pyet se përderisa nuk e ka inventarin, kur pritet të hapet çerdhja në Milloshevë, Gashi tha se kurdo që vjen inventari janë të gatshëm ta hapin.
Gashi ka treguar se çerdhja është ndërtuar nga bashkëpunimi i Ministrisë së Arsimit dhe Komunës së Obiliqit. Sipas tij, nga viti 2022 kanë kërkuar në Ministri që të ndërtohet kjo çerdhe.
“Më 2022 nuk janë marrë parasysh, më 2023 është aprovu, si duket në pamundësi të kërkesave që ata i kanë pasë të shumta për ndërtim të çerdheve edhe ma në fund është aprovu kërkesa jonë, pas shumë insistimeve që ne i kemi adresuar, është e domosdoshme për komunitetin në atë zonë”– ka thënë Gashi.
Në përgjigjen për KALLXO.com para përurimit të çerdhes, Ministria e Arsimit u arsyetua se operatori ekonomik për furnizimin e çerdheve me inventar ka qenë i njoftuar që furnizimin me inventar ta bëjë nga muaji janar 2025.
“Duke qenë se objekti ka përfunduar në muajin dhjetor dhe procedurat e pranimit të punëve dhe pastrimit të objektit marrin kohë, si dhe pushimet e fund vitit, OE (operatori ekonomik) ka filluar me furnizim dhe presim që inventari të kompletohet brenda muajve në vazhdim”- tha Ministria e Arsimit.
Ministria e Arsimit tha se punimet e ndërtimit dhe pranimi teknik i çerdhes në Milloshevë teknikisht kanë përfunduar në muajin dhjetor 2024.
Sipas përgjigjes së tyre, pranimin teknik e kanë kryer inxhinierët e fushave përkatëse të kompanisë që ka ofruar shërbime profesionale në ndërtimin e çerdhes, më 20.12.2024.
Ministria ka shtuar se vlera e projektit është 569,569.56 euro dhe kontrata është nënshkruar më 28.09.2023 në kohëzgjatje prej 36 muajve.
Në anën tjetër, KALLXO.com raportoi më 08.01.2025 se si ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, më 08.01.2025 e anuloi përurimin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Halil Alidema” në fshatin Pozharan të Vitisë dhe atë të çerdhes në fshatin Dobresh.
Përurimi i shkollës dhe çerdhes u anulua pasi që të dyja fillimisht nuk kishin përfunduar: as pranimi teknik, madje kishte ende punë për t’u kryer brenda dhe jashtë objekteve arsimore.
Çerdhja në fshatin Dobresh ishte e mbyllur dhe ekipi i KALLXO.com nuk pati qasje në të, por që nga jashtë vërehej se ende nuk është funksionalizuar në tërësi objekti, e madje as nuk është rekrutuar stafi.
Në Shkollën “Halil Alidema” inventari shkollor është parë në klasat e shkollës, hapësira brenda ka përfunduar, ende nuk është bërë pranimi teknik, ndërsa ekipi i KALLXO.com në terren ka parë edhe punëtorët e kompanisë së kontraktuar derisa rregullonin shkallët emergjente të shkollës.