Ministria e Arsimit kërkon 1,000 mësimdhënës shtesë për vitin e ri shkollor

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të mundësojë angazhimin e 1000 mësimdhënëseve me pagesë për vitin e ri shkollor, që pritet të fillojë më 1 shtator.

Angazhimi i këtyre mësimdhënësve, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, duhet të vlejë vetëm gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit.

Enver Osdautaj, këshilltar i lartë politik në kabinetin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ky numër i mësimdhënësve duhet të jenë si staf rezervë në rast të infektimit me koronavirus apo izolimit të mësimdhënëseve të rregullt.

“Ne kemi kërkuar angazhim të rregullt të mësimdhënësve më gjysmë pagesë, vetëm për periudhën e pandemisë. Kemi kërkuar nga Qeveria që të mbështes me 1000 mësimdhënës si staf rezervë dhe staf teknik, varësisht nga nevojat. Këta mësimdhënës do të punojnë vetëm në rrethana pandemie. Këta janë mësues plotësues për të plotësuar nevojat varësisht prej situatave që vijnë dhe shpërndarja e tyre në nivel shteti bëhet në bazë të numrit të nxënësve nëpër drejtori komunale të arsimit”, tha Osdautaj.

Rritjen e stafit të personelit arsimor, për fillimin e procesit mësimor e ka kërkuar edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës. Ymret Reshiti, kryetar i këtij Këshilli, në një bisedë për Radio Evropa e Lirë, tha se përveç infektimit të mundshëm me sëmundjen COVID-19 të mësimdhënëseve, stafi i ri duhet të ndihmojë edhe në rast të marrjes së vendimit për ndarjen e nxënëseve në dy ose tri klasa.

“Do të thotë mos të jetë barrë e një mësimdhënësi që të punojë në një klasë në tri grupe, sidomos e kemi fjalën për ato klasa që kanë numër të madh të nxënësve”, tha Reshiti.

Përveç kërkesës për 1000 mësimdhënës shtesë më pagesë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka kërkuar edhe nga Universiteti i Prishtinës, konkretisht nga Fakulteti i Edukimit, që studentët të ndihmojnë në mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Këtyre studentëve do u njihet praktika, proces ky që është obligim për përfundimin e fakultetit. Ndërsa, Dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku, para 10 ditësh, për Radion Evropa e Lirë, ka treguar gatishmërinë e këtij fakulteti, për të ndihmuar Ministrinë e Arsimit në procesin e mësimit.

Skenarët për fillimin e vitit të ri shkollor

Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë pandemie, Skenari A- rikthimin në ambientet shkollore të nxënëseve, Skenari B – mësimin e kombinuar dhe Skenari C – mësimi nga platforma të ndryshme.

Por, ende nuk është vendosur në mënyrë konkrete për ndonjërin, vendimi për këtë varet nga situata epidemiologjike në vend, thotë Osdautaj duke shtuar se te shumica e drejtorive komunale të arsimit, janë të gatshme të fillojnë me kthimin e nxënëseve në shkolla.

Opsionet mund të zbatohen nga komunat varësisht hapësirës nëpër objektet shkollore dhe gjendjes epidemiologjike në vend.

“Jemi takuar me shumicën e drejtorive komunale dhe të gjitha përgatitjet janë bërë që të fillohet procesi mësimor. Dhe më inkurajon besimi që kanë dhe vullneti që të provohet skenari A.

”Ne jemi duke shqyrtuar edhe një opsion që më 1 shtator të fillohet me klasat nga 1 deri në 5. Edhe ashtu ky është rekomandim i Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike pastaj të fillohet më grupet tjera, me 14 shtator është opsioni tjetër. Por, ta shohim të fillojmë me të gjitha klasat. Mirëpo, skenarët do të përshtaten me kushtet e pandemisë”, tha Osdautaj.

Edhe Këshilli i Prindërve në Kosovë, preferon kthimin e nxënëseve në shkolla, por gjithmonë duke respektuar rekomandimet e autoriteteve shëndetësore për masat mbrojtëse ndaj COVID-19, thotë Reshiti.

Masat mbrojtëse janë mbajtja e maskave, respektimi distancës dhe mbajtja e higjienës personale.

“Ne si këshill, është e natyrshme që mbështesim Skenarin A, fillimi i vitit shkollor nëpër banka, të gjithë nxënësit nga klasa e parë e deri tek shkollat e mesme, duhet ti nënshtrohen shkollimit në objektet e shkollës. Për ne kjo është mënyra më e mirë dhe më e dëshirueshme edhe për nxënës, por edhe në aspektin e përfitimit të njohurive në mënyrë të kompletuar. Por, nëse rritet numri i personave të infektuar më COVID-19, ne duhet të pranojmë edhe versionin B.” tha ai.

Qytetarët: Numri i lartë i rasteve të të infektuarave, rrezik për nxënësit

Disa qytetarë në Prishtinë, ndërkaq vlerësojnë se kthimi i nxënëseve në hapësirat e shkollave, sidomos nxënësit e shkollave të mesme, mund të rris shkallën e infektimit më koronavirus.

Qamil Dili, i cili tregon se ka nipa dhe mbesa në shkollë, frikësohet se me hapjen e shkollave mund të rrezikohen nxënësit.

“Sikur të ishte zbutur situata me koronavirus, do të ishte shumë mirë të kthehen fëmijët në shkolla, sepse kemi mbetur shumë mbrapa më mësim. Por, në këtë gjendje, kur numri i rasteve është në rritje, unë frikësohem se do të rritet edhe më shumë numri, pasi tashmë po vërehet se të infektuar janë edhe më moshat e reja”, thotë Dili.

Ngjashëm mendon edhe Osman Metushi:

“Unë jam që mos të hapen shkollat, sepse mund të përhapet epidemia”, shprehet Metushi.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Pastaj, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distancë. Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik, si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube.

Ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta, mësimi në distancë është zhvilluar në mënyrë të decentralizuar, ku mësimdhënësit ishin bartësit kryesor. /REL